English

Asambleja E Rajoneve Te Evropës Vlerëson Bashkëpunimin Mes Pushtetit Qendror Dhe Atij Vendor Në Shqipëri

TIRANË, 2 Korrik/ATSH/.- Presidentja e Asamblesë së Rajoneve të Evropës, Mishel Sabon dhe zv/presidente e Këshillit Rajonal të Il dë Frons (Ile-de-France) vlerësoi sot në Tiranë përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor në Shqipëri Zyra e shtypit e Presidencës njofton se znj. Sabon u prit sot nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë. Pasi e njohu me situatën aktuale në vend dhe arritjeve në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të pavarësisë së tyre, Kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit efikas dhe dialogut midis pushtetit qendror dhe atij vendor për të realizuar projekte në të mirë të zhvillimit të mëtejshëm të vendit. Presidenti Topi duke iu referuar edhe përvojës evropiane, theksoi se forcimi i bashkëpunimit mes pushtetit qendror e atij vendor, por dhe zbatimi sa më mirë i strategjisë së decentralizimit, do të mundësojë një koordinim më të mirë të projekteve në qarqet e vendit, si dhe një shërbim më të mirë ndaj interesave të qytetarëve. Presidentja e Asamblesë së Rajoneve të Evropës, Sabon nënvizoi se shfrytëzimi dhe mirëadministrimi i potencialeve të të gjithë territorit të vendit do të sjellin pashmangshmërisht fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes evropiane. /a.s//n.m/
KOMENTE