English

Belgjikë - Vuvuzela Ndalohet Në Koncertin Për Inaugurimin E Presidencës Belge

BRUKSEL, 2 korrik /ATSH-ANSA/ - Mania e vuvuzelave ka zbarkuar tashmë edhe në Evropë. Dhe nëse në Afrikën e Jugut ishte e pamundur të ndaloheshin në stadiumet e futbollit, pavarësisht protestave të televizioneve dhe spektatorëve nga e gjithë botë, në Belgjikë moda e trumpetave të zhurmshme është ndaluar që në lindje. Në një komunikatë të kancelares së kryeministrit, theksohet se vuvuzelat janë të ndaluara të përdoren në koncertin për inaugurimin e gjashtëmujorit të presidencës belge të Bashkimit Evropian. Pra, nëse dikush ka menduar të shkojë në koncertin "I love Europe" (që do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje para selisë së Parlamentit evropian) me një vuvuzelë me vete, ndoshta për të kontestuar ndonjë këngëtar, duhet të ketë një arsye shumë të fortë. Në fakt dënimi është një gjobë shumë e kripur. "Kjo bëhet për t'i garantuar telespektatorëve një dëgjim të mirë dhe konfortin e spektatorëve të pranishëm", shpjegon kancelarja e kryeministrit belg. Por edhe për të garantuar sigurinë e tyre. Nuk i dihet kurrë, ndoshta dikush, i besdisur nga zhurma e besdisshme e vuvuzelës, mund ta përdorë atë si një send të fortë. /e.v/
KOMENTE