Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Edi Rama: Opozita është kundër çdo forme të shprehjes së këtij pushteti
English

Edi Rama: Opozita është kundër çdo forme të shprehjes së këtij pushteti

Tiranë, 2 Korrik 2010 NOA – “Opozita është kundër çdo forme të shprehjes së këtij pushteti, nëpërmjet propozimesh që nuk kanë asgjë të përbashkët me çka të gjitha këto gjëra duan të thonë në kushtet e një demokracie normale”.

Kështu deklaroi sot kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Z. Rama vlerësoi se “kjo është një demokraci që nuk funksionon” dhe shtoi: “Në një demokraci që nuk funksionon propozime të tilla bëhen në emër të mekanizmave që i përdor bota e qytetëruar dhe që i përdorin demokracitë funksionale dhe që në fakt pastaj shfrytëzohen vetëm në funksion të një politike, që është politika e mbrapshtë e deformimit të vazhdueshëm të të gjithë sistemit, për të mbajtur në këmbë një deformim themelor që është deformimi i pushtetit”.

A keni ju si Parti Socialiste një alternativë për të vepruar ndryshe në këto kushte ekonomike-politike që ju kritikoni?

Alternativa jonë në këto kushte, është që të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të penguar sa të jetë e mundur në rrugën qorre makinën e kësaj qeveria që po e çon Shqipërinë në humnerë. Në rast se do të ishim ne në të njëjtin pozicion do të bënim pa asnjë dyshim politikën ekonomike të syve të hapur dhe të vetëdijes se ky vend dhe siç do vend tjetër, nuk qeveriset sot për sot, për interesa të atyre që janë sot në pushtet, por qeveriset sot dhe për nesër në interes të të gjithë atyre që e ndajnë së bashku këtë vend. Që do të thotë edhe në planin ekonomik, një politikë ekonomike tërësisht ndryshe. Gjë që e kemi thënë edhe në kohën para zgjedhjeve, duke paralajmëruar se çfarë e priste ekonominë në rastin kur politika shkatërruese ekonomike e shpenzimeve marramendëse për interesat e mbajtjes së pushtetit dhe e hapjes së një grope që po fillon të bëhet e pambyllshme në buxhet po për këto interesa mund ta çonte vendin, ku në fakt po e çon.

Nëse do të propozohej një amnisti fiskale, opozita do të ishte pro apo kundër?

Opozita është kundër çdo forme të shprehjes së këtij pushteti, nëpërmjet propozimesh që nuk kanë asgjë të përbashkët me çka të gjitha këto gjëra duan të thonë në kushtet e një demokracie normale. Kjo është një demokraci që nuk funksionon. Në një demokraci që nuk funksionon propozime të tilla bëhen në emër të mekanizmave që i përdor bota e qytetëruar dhe që i përdorin demokracitë funksionale dhe që në fakt pastaj shfrytëzohen vetëm në funksion të një politike, që është politika e mbrapshtë e deformimit të vazhdueshëm të të gjithë sistemit, për të mbajtur në këmbë një deformim themelor që është deformimi i pushtetit.

Pse PS iu rikthye marrëdhënies së kushtëzuar, çfarë shpresoni të arrini, mazhoranca nuk hoqi dorë nga qëndrimet e saj?

Fakti që një regjim nuk heq dorë nga rruga e vetë e mbrapshtë nuk është një arsye që ata që e luftojnë këtë regjim dhe që kërkojnë që punët të shkojnë në rrugë të drejtë, të tërhiqen. Ne nuk tërhiqemi! Është e thënë hapur dhe publikisht që do të vazhdojmë betejën tonë, si një betejë për liri dhe të drejta që nuk negociohen. Çdo betejë për liri dhe të drejta nuk është as një betejë e lehtë, dhe nuk është as një rrugë e çelur frytet e së cilës mblidhen aty për aty.

Unë jam shumë krenar për gjithçka ka bërë PS. Njëkohësisht jam tërësisht në mbështetje të vendimit që ka marrë Grupi Parlamentar, për të mos marrë pjesë në asnjë proces votimi në një parlament të shpërfytyruar, nga shkelja e të gjitha parimeve dhe vlerave më elementare të parlamentarizmit, ku së fundmi do të numëroja heqjen e votës së fshehtë dhe të së drejtës së çdo deputeti, që në pavarësinë e tij të plotë të votojë për të zgjedhur individë konkret. Kështu, që kjo është pjesë e një realiteti dhe ky është realiteti i sotshëm konkret dhe i prekshëm. Nuk do të marrim pjesë në asnjë proces votimi për asnjë nisëm që vjen nga ky pushtet, të cilin do ta përballim me të gjithë fuqinë e rezistencës sonë. Në një betejë që do të përshkallëzohet përsëri e përsëri, deri kur Shqipëria të rivendoset në binarët e kushtetutshmërisë dhe të transparencës dhe kur qeveria e këtij vendi, cilado qoftë ajo, t’ju shërbej qytetarëve dhe jo të bëjë ç’ka po bën me qytetarët, duke arritur të fusë duart në depozitat e tyre për t’ju dhënë përgjigje pikëpyetjeve gjithmonë e më të rënda të një krize, e cila e ka hapur dhe e ka bërë të papërballueshme gropën e një buxheti të vënë në shërbim të interesave të një pushteti për një grusht njerëzish që po e rrjepin Shqipërinë përditë.

Nga analiza juaj dëgjuam se renditët të parën krizën ekonomike. A mund të themi se kjo çështja e krizës ekonomike e ka dominuar dhe e ka mposhtur krizën politike, është kjo parësore tashmë? Apo janë të ndërthurura e të ndërvarura nga njëra tjetra?

Më duket se përsa më takon, qysh prej një viti asnjëherë nuk i kam ndarë të dyja këto. Janë dy anë të së njëjtës medalje. Të medaljes së arrogancës dhe të korrupsionit që ka varur në qafë Sali Berisha dhe kjo qeveri. Duke e pretenduar si një medalje të sukseseve të cilat çdo ditë e më shumë po i paguajnë drejtëpërdrejtë shqiptarët.

A do të kërkoni interpelancë me Ministrin e Financave apo me Kryeministrin në Kuvend, për të bërë një ballafaqim të këtyre shifrave, sepse ndryshe është ajo çfarë thotë qeveria e ndryshe është ajo që pretendon opozita? Një vit pas zgjedhjeve kur do ta mësojmë strategjinë që ju thatë pak çaste më parë për përshkallëzimin e protestave.

Ajo që keni parë gjithmonë ka qenë një realitet protestash të përditshme, të vazhdueshme dhe të pandalshme. Objektivi ynë për transparencën është objektiv i patjetërsueshëm. Fakti që ne kërkojmë një të drejtë dhe kjo e drejtë mohohet, nuk na bën ne përgjegjës, por bën përditë e më përgjegjës atë dhe ata që na e mohojnë këtë të drejtë, së pari.

E së dyti më lejoni t’ju përsëris që në botën demokratike ka një faktor të tretë midis dy palëve, që është syri kritik, vigjilent e zhbirues i medias. Është e vërtetë ata thonë shifrat e tyre ne themi shifrat tona, po ky nuk është një ping pong në të cilin ju të tjerët jeni spektator. Merrini shifrat, ballafaqojini dhe tregojini shqiptarëve se kush thotë të vërtetën. Në çdo vend tjetër një kryeministër i cili ka pafytyrësinë të thotë se po ju rris pensionet si rezultat i suksesit ekonomik, ndërkohë që kjo është një rritje pensionesh si rezultat i vazhdimit në rrugën e mbrapshtë të një politike shkatërruese për vendin, që nuk bazohet në suksesin ekonomik, por në futjen e duarve në depozitat e qytetarëve, do të ishte vënë përpara përgjegjësisë në radhë të parë nga zëdhënësit e opinionit publik, që janë ata të cilët janë të pa interesuar drejtpërdrejtë për betejën politike, po janë të interesuar drejtpërdrejtë për të zhbiriluar të vërtetën. E në këtë pikë më lejoni t’ju them që është një përgjegjësi që duhet ta ndajmë të gjithë së bashku sipas rolit që kemi. Ne kemi përgjegjësinë tonë t’i bëjmë publike të gjitha këto.

Mos harroni që në një vend shumë më të zhvilluar, shumë më të strukturuar, shumë më demokratik, shumë më europian si Greqia, u zbulua fakti drithërues se shifrat ishin të manipuluara. Merreni me mend tani në këtë vend dhe me këtë pushtet që vjedh votat për të vazhduar të qëndroj në këmbë, sesa është shkalla e manipulimit të shifrave. E ndërkohë ne nuk po ju flasim për shifra të supozuara, po ju flasim për shifra konkrete. Është konkret fakti që vetëm fatura e ujit dhe të dritave është 5 e 6 herë më e lartë sesa rritja e pensionit. Është fakt, nuk është shifër e supozuar. Për të mos folur pastaj për inflacionin e për të tjerat të cilat janë shumë më ndryshe sesa shifrat zyrtare.

Në këtë aspekt unë ju falënderoj për pyetjen që më jepni mundësi të sqarohem, por njëkohësisht t’ju ftoj që të ndajmë përgjegjësinë përballë një situate që po bëhet përditë e më dramatike. Do të jetë vonë nesër! Do të jetë po aq vonë sa ç’ishte kur ndodhi një tjetër kolaps financiar në këtë vend. Kur të gjithë pastaj shikonin njëri - tjetrin duke ndjerë peshën e një përgjegjësie për mos ngritjen e çështjes aty menjëherë dhe për mosfrenimin e fenomenit aty dhe menjëherë. Janë dy histori krejt të ndryshme, por mes këtyre dy historive asaj të viteve 1990 dhe kësaj historie sot, është një paralele e frikshme. Paralelja që ndërtohet mbi faktin se shpenzimet marramendëse në funksion të pushtetit dhe pamundësia e sistemit për t’i përballuar këto shpenzime, e çojnë pushtetin tek xhepat e qytetarëve drejtpërdrejtë. Fusin duart e pushtetit në xhepat e qytetarëve dhe ajo që ndodh me këtë borxh, gjë të cilën e kam thënë e në një konferencë të mëparshme, është se duke u futur në këtë sistem huamarrjeje në fakt kërkohet të përballohet kolapsi i sistemit të të ardhurave direkte të qeverisë për detyrat e veta, duke futur në kolaps një sistem i cili është sistemi i kreditimit të ekonomisë për të mbështetur huamarrjen. Këto para janë para që hiqen nga diku dhe shkojnë diku tjetër, por që në fakt fusin në kolaps edhe sistemin tjetër. Ky është fakti dhe kjo e vërtetë që sot është një e vërtetë teorike do të jetë në muajt e ardhshme e vërteta rrënqethëse e sipërmarrjeve shqiptare. E, njëkohësisht nuk do ta nxjerr dot nga kriza buxhetin shqiptar.

Kemi parë dje në Hamallaj të Durrësit skena jo të zakonshme mes policisë dhe banorëve, për shkak të operacionit të ndërmarrë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Cili është komenti i PS dhe qëndrimi mbi fushatën e ndërmarrë dhe mënyrën sesi është ndërmarrë ajo?

Ato pamje janë dy fytyrat e politikës së pafytyrë të Sali Berishës, që nga një anë për interesat e pushtetit të tij në kushtet kur i duhen votat, i nxit njerëzit, i shtyn njerëzit, i frymëzon njerëzit, të investojnë paratë e tyre të gjakut në ndërtime pa leje. Duke e kthyer territorin e vendit në një rrumpallë urbane. Nga ana tjetër kur i duhet të lirojë territore për të vënë në jetë plane të aprovuara për arsye klienteliste në KRRTRSH, shkon deri në përplasje të tilla. Për më tepër akoma pastaj gjëja që është edhe më dramatike, e vendos policin e shtetit përballë një reagimi që në fakt është një sfidë që i bëhet vetë shtetit. Ajo që ndodhi është fytyra e shtetit të Sali Berishës, që nuk është shtet dhe që nuk ka fuqi të bëjë asgjë në funksion të të mirës publike.

A do të ishte kaq e shurdhër kjo qeveri, qoftë për ekonominë, qoftë për transparencën e zgjedhjeve, në rast se nuk do të kishin ndodhur ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, që ju i votuat?

Ju mendoni që ato që shkruhen në letër e bëjnë më të dëgjueshëm apo më shurdh Sali Berishën? E keni gabim, është organike shurdhëria e Sali Berishës.

FUND

KOMENTE