English

Operacioni “Shoqëruesi” kap trafikantin, ndihmoi në kufi 2 klandestinë për 800 euro

Tiranë, 2 Korrik, NOA – Forcat e policisë së Korçës kanë finalizuar me sukses operacionin policor “Shoqëruesi”, duke mundësuar arrestimin në flagrance të 47-vjeçarit Kamer Vishaj, banues në Kamëz.

Arrestimi i tij u bë si rezultat i një pune të gjatë për ndjekjen dhe vëzhgimin e tij, pasi kishte informacion në rrugë operative se ai ushtronte veprimtarinë e ndihmës për trafik të paligjshëm kufiri ndaj personave duke u marrë shuma të caktuara parash.

Në rarsin konkret, raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA se ky person është kapur në flagrancë tek vendi i quajtur “Lugina” në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës në Devoll, duke iu dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me destinacion Greqinë, dy personave, kundrejt një shpërblimi prej 400 euro për person.

Në këtë rast, i ndaluari ka konsumuar veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.

Ndërkaq, prej forcave policore janë kryer të gjitha veprimet hetimore proceduriale kurse materialet iu kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE