English

Rama Apel Berishës: Zgjidh Krizën Politike

TIRANË, 2 Korrik/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste (PS) Edi Rama duke vlerësuar të premten se, kriza politike sot është më e thellë, i bëri apel kryeministrit Sali Berisha për zgjidhjen e saj dhe mbështeti qëndrimin e opozitës për të mos u tërhequr nga kërkesa për transparencën e zgjedhjeve. "Kriza politike sot është më e thellë se pak kohë më parë. I bëj apel Sali Berishës që ta zgjidhë atë për të mos e kthyer në një nyje tjetër, se sa nyja e krizës ekonomike, që po iu shtrëngon fytin shqiptarëve", tha Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë e PS-së Duke konfirmuar qëndrimin e opozitës për të mos u tërhequr nga kërkesa për transparencë të zgjedhjeve, Rama mbështeti vendimin e grupit parlamentar për të mos votuar asnjë ligj në Kuvend. "Ne nuk tërhiqemi dhe do të vazhdojmë betejën tonë, si një betejë për liri e të drejta, që nuk negociohen. Jam shumë krenar për gjithshka ka bërë PS dhe jam tërësisht në mbështetje të vendimit të grupit socialist për të mos marrë pjesë në asnjë proces votimi të një parlamenti të shfytyruar nga shkelja e gjithë parimeve dhe vlerave të parlamentarizmit, ku së fundi do numuroja heqjen e votës së fshehtë. Beteja jonë do të përshkallëzohet deri sa Shqipëria të vendoset në binarët e kushtetuetshmërisë dhe transparencës", theksoi Rama. Kreu i PS-së, analizoi vendimin e fundit të qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve duke u shprehur se ai nuk është rezultat i suksesit ekonomik, por rezultat i politikës së mbrapshtë që bazohet në futjen e duarve në depozitat e qytetarëve. "Qeveria nuk po mbledh dot para nga taksat kryesore dhe në 5 muaj janë 12.4 miliardë lekë më pak se sa ato që duhet të ishin mbledhur. Në këto kushte qeveria i drejtohet depozitave të qytetarëve duke marrë para borxh me interesa marramendëse, duke futur në kolaps ekonominë", tha Rama në takimin e sotëm me gazetarët./a.s//n.m/
KOMENTE