English

MB, Ramës: Tërhiq formularin për Adresarin e ri, shkel privatësinë e qytetarëve

Tiranë, 3 korrik, NOA - Ministria e Brendshme i është drejtuar me një shkresë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për verifikimin e statusit të të dhënave, të kërkuara në formularin e Adresarit të shpallur një javë më parë nga kryebashkiaku Edi Rama.

Ministria e Brendshme bën të ditur se Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nënvizoi në dërgesën e tij “se nga ana e Bashkisë së qytetit Tiranë janë anashkaluar kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, kërkesat e nenit 35 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5 të Direktivës 95/46 të KE dhe Parlamentit Europian, në të cilin shprehimisht thuhet se të dhënat personale “duhet të jenë të favorshme, koherente në lidhje me temën dhe jo të tejkalojnë qëllimin, për të cilin grumbullohen dhe u nënshtrohen përpunimit”.

Sipas këtij qëndrimi, që duket qartë që shkel konfidencialitetin e qytetarëve të Tiranës në sistemin e ri të adresave, ministria e Brendshme Ministria i kërkon, kryetarit të bashkisë, Edi Rama që në mënyrë urgjente të tërheqë formularin e shpallur publikisht prej tij dhe të shpërndarë në kundërshtim me ligjin.

Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe qytetarëve të Bashkisë së Tiranës të mbrojnë të drejtën për privatësinë e të dhënave të tyre personale, të jenë të kujdesshëm dhe të mos plotësojnë të dhënat e kërkuara nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Sipas MB-së, kërkesat e formularit tejkalojnë dhe anashkalojnë ligjin, duke evidentuar numrin e telefonit fiks dhe celular, sipërfaqen e pronës, të qenurit emigrant ose jo, punësimin dhe arsimimin, profesionin dhe vendin nga vijnë, të qytetarëve të kryeqytetit.

mit/NOA
KOMENTE