English

MPJ dënon shpërthimin në Mitrovicë

Tiranë, 3 korrik, NOA - Ministria e Punëve të Jashtme dënoi sot shpërthimin e djeshëm në Mitrovicë, duke e konsideruar atë një akt të rëndë, që dëmton interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Në një deklaratë për shtyp, ministria e Punëve të Jashtme mbështet reagimin e menjëhershëm të autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës ndaj këtij akti, angazhimin e organeve kompetente për zbardhjen e ngjarjes, si dhe thirrjen drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur çdo provokim.

Në këtë deklaratë ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmon mbështetjen ndaj institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it për të garantuar funksionimin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, në të gjithë territorin e saj, në shërbim të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare, si dhe në interes të paqes, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës.

NOA
KOMENTE