Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Peng në gjykim
English

Peng në gjykim

Vetëm familjarët e viktimave protestojnë për vonesat, për shtyrjet e seancave, për arsyet tepër fyese të mungesave, si të mos kenë vdekur njerëz në Gërdec. Protestat e tyre mirëkuptohen dhe miratohen me hipokrizi

Nga Preç Zogaj Edhe këtë javë seanca gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit u shty, sepse mungonin disa avokatë. Nuk është hera e parë, as e dyta, as e treta. Qëkurse Gërdeci ka ngritur siparin në gjykatë dhe po rreket të ritregojë copa-copa historinë e shpërthimit të tmerrshëm, lajmi më i zakonshëm nga salla e gjyqit ka qenë shtyrja e seancës. Praktikisht, në rrotullimin e tretë rreth diellit të kësaj tragjedie, ku 26 njerëz gjetën një vdekje të llahtarshme dhe mbi dyqind të tjerë u plagosen, nuk kemi ende asnjë fajtor. Gjykata, që mori në dorë para një viti dosjen e prokurorisë, duket ende larg momentit kur do të tërhiqet për të marrë e shpallur një vendim. Shkaku kryesor i kësaj ngadalësie, përveç vështirësive të njohura që i vuan mbarë sistemi i drejtësisë, janë padyshim shtyrjet e seancave. Njëherë mungojnë avokatët, njëherë tjetër mungon një prokuror, pastaj disa dëshmitarë të domosdoshëm, pastaj përsëri pesë avokatë, tre avokatë, katër avokatë... Nuk e di a ka ndodhur, por fare mirë mund të ndodhë që kur të jenë të pranishëm avokatët, prokurorët dhe dëshmitarët, të sëmurët njeri prej anëtarëve të trupit gjykues dhe historia të përsëritet. Vetëm familjarët e viktimave nuk mungojnë kurrë në seancë. Vetëm ata nuk kanë punë tjetër për të bërë! Vetëm ata nuk i zë asnjë sëmundje pas tmerrit që kanë parë e përjetuar. Ulen në karrige, mbushim me habi të përhershme sallën e gjyqit. Të duket se nuk mësohen dot kurrë me ngadalësinë e madhe të gjykimit në raport me shpejtësinë e rrufeshme të flakëve që u vranë të afërmit; nuk mësohen dot me ngenë e madhe të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, togat e të cilëve duken si peceta të mëdha të një dreke që s'ka të sosur. Vetëm familjarët e viktimave protestojnë për vonesat, për shtyrjet e seancave, për arsyet tepër fyese të mungesave, si të mos kenë vdekur njerëz në Gërdec. Protestat e tyre mirëkuptohen dhe miratohen me hipokrizi, por askush prej atyre që e kanë për detyrë të reagojnë dhe të veprojnë nuk vepron. Shtyrja e seancës së radhës parashkruhet kështu si në një përbetim të menduar, ku me përjashtim të viktimave dhe të afërmve të tyre, të gjithë të tjerët do të dalin të fituar. Kjo është farsa e Gërdecit në gjykatë, pasi është konsumuar si tragjedi në terren. Ky është Gërdeci si tmerr pa fund, pasi është konsumuar si fund i tmerrshëm në terren. Është e vërtetë se janë shumë të pandehur në kafazin si balonë. Janë shumë avokatë. Shumë dëshmitarë. Të gjithë këto dihen dhe ka qenë e pritshme të ketë aty-këtu vonesa në gjykim; ka qenë e pritshme që drejtësia shqiptare të mos jetë në lartësinë e drejtësisë amerikane që e ka dënuar prej kohësh të pandehurin kryesor amerikan për Gërdecin shqiptar, Efraim Diverolin. Por shtyrjet me motive banale si këto që janë regjistruar muajt e fundit, lenë përshtypjen e sabotimit të qëllimshëm e të përllogaritur të procesit për të nxjerrë përfitime për të pandehur të caktuar, me qëllim që dënimi i tyre të quhet i përfunduar apo afër përfundimit ditën kur do të shpallet. Me përjashtim të disa ushtarakëve, që nuk e kanë marrë vesh pse janë në atë proces, nuk kemi parë e dëgjuar që për vonesat dhe shtyrjet të protestojnë edhe të pandehur. Kuptohet se mungesa e përsëritur e avokatit nuk është një trill, por është një gjest që realizohet në mirëkuptim me të pandehurin, që e paguan këtë avokat. Pra, mungesa në këtë rast është pjesë e mbrojtjes, me qëllim uljen dhe zbutjen e dënimit të klientit. Avokati që mungon për këtë arsye është i përligjur në qëllimin e tij, por ai nuk ka të drejtë të marrë zvarrë procesin, nuk ka të drejtë të lëndojë familjarët që kanë humbur të afërmit dhe që kanë si ngushëllim të vetëm drejtësinë, dënimin e fajtorëve sipas ligjit. Si është e mundur që Gjykata, Dhoma e Avokatisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo Ministria e Drejtësisë pajtohen me marrjen peng në këtë formë të procesit më të rëndësishëm të kësaj dekade, siç është ky i Gërdecit. Në mos dje, sot pritej e pritet patjetër një qëndrim prej tyre. Për vetë rëndësinë dhe gravitetin e rastit, nuk është e tepërt të prononcohet kreu i Ministrisë së Drejtësisë. T'u thuash familjarëve të viktimave se kështu e ka shteti i së drejtës, kështu e ka ndarja e pushteteve është të tallesh me ta. Dhe jo vetëm me ta. Por me mbarë shoqërinë shqiptare. Çdo çështje që shkon në Gjykatë ka të veçantën e vet. Por Gërdeci është një thirrje e madhe në ndërgjegjen qytetare shqiptare. Gërdeci është thirrja e të vdekurve atje. Gërdeci, realisht është "çështja jonë", në kuptimin se na përket të gjithëve pa dallim. Heshtja e disa prej të pandehurve apo dëshmitarëve për çfarë ka ndodhur në Gërdec para shpërthimit zhurmon në sallën e gjyqit si një shirit filmi i fshirë. Nuk është për tu çuditur që ata kanë menduar të "shesin" heshtjen në shkëmbim të manovrave, premtimeve dhe llogarive që do t'i nxirrnin të pa lagur ose me dënime minimale për pakujdesi dhe shkelje të rregullave të sigurimit teknik. Fakti që avokatët guxojnë për të disatën herë të dështojnë seancën dhe asnjë masë nuk shohim të jetë marrë ndaj tyre, tregon se në këtë mes ka diçka më të koordinuar. Në një plan më të gjerë, ka një interes për degradimin, sfilitjen dhe zgërlaqjen e Gërdecit deri në harrim nga opinioni i gjerë. Por, megjithëse i lodhur dhe i mbingarkuar, opinioni publik shqiptar nuk mund ta arkivojë Gërdecin pa u dhënë drejtësi për të.

KOMENTE