English

Reforma Zgjedhore Dhe Pretendimet E Partive Politike

- Përmbledhje - TIRANË, 3 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Zgjedhjet e ardhshme vendore nxisin partitë politike, parlamentare dhe joparlamentare, të shfaqin pretendimet e tyre për reformën zgjedhore. Kodi elektoral, i miratuar në parlament në dhjetor 2008, u konsiderua nga ekspertët si produkt i një niveli shumë të lartë, por zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 sollën disa problematika, për të cilat ODIHR-i, në raportin e tij përfundimtar, paraqiti dhe rekomandimet përkatëse. Gjatë një tryeze të fundit që OSBE-së, në bashkëpunim me KQZ-në, zhvilloi me një numër komisionerësh zgjedhorë, Kreu i Prezencës në Tiranë, Ambasadori Robert Bosch, paraqiti rekomandimet që do të përmirësonin procesin e administrimit të zgjedhjeve. OSBE parashtroi si problematika vendimet politike të KQZ-së dhe komisionerëve, zëvendësimin e komisionerëve nga partitë politike në mënyrë arbitrare, si dhe nivelin e dobët të trajnimit të komisionerëve. Sipas kësaj organizate, komisionerët zgjedhorë, ashtu sikurse të zgjedhurit dhe zyrtarët e emëruar të të gjitha niveleve, duhet të mos i bazojnë veprimet dhe vendimet në lidhje me zgjedhjet mbi konsideratat e tyre politike. Ndërkohë, KQZ thekson se një ndër problemet e hasura në zgjedhjet e kaluara ishte pjesëmarrja e ulët e komisionerëve në seancat e trajnimeve, gabimet në plotësimin e p/verbaleve, etj. Sipas kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, një problem që duhet zgjidhur në ligjin e ardhshëm elektoral, ka të bëjë me vonesat në emërimin e anëtarëve të qendrave të votimit nga partitë politike. Kryeministri Sali Berisha, në përpjekje për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, i ka kërkuar më se njëherë opozitës, që të hartojë amendamentet për ligjin zgjedhor, duke shprehur vullnetin e maxhorancës për t'i votuar ato. "Garantoj se jam i vendosur për të shndërruar në ligje dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-t, dhe kur them bashkarisht nuk tërhiqem nga zotimi që opozita të ketë të drejtën e hartimit të amendamenteve dhe kjo maxhorancë do t'i votojë ato pasi të ketë marrë një opinion nga Komisioni i Venecias apo OSBE/ODIHR", ka deklaruar Kryeministri Berisha. Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), pjesë e maxhorancës qeverisëse, ishte e para forcë politike parlamentare që hodhi idenë e organizimit të një tryeze të zgjeruar me aktorë politikë dhe shoqërinë civile, lidhur me ndryshimin e ligjit dhe sistemit elektoral dhe për të cilin duhet gjithëpërfshirje. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e lidh nevojën për përmirësimin e kodit edhe me kërkesën e PS-së për transparencën e procesit të fundit zgjedhor. "Përderisa ka pretendime nga ana e PS-së për transparencën e zgjedhjeve, nuk ka kuadër më të mirë se sa vetë ndryshimet në kod, për të garantuar transparencë maksimale. PS duhet të kontribuojë për të përmirësuar kodin zgjedhor dhe për këtë i është ofruar mundësia të marrin dhe rolin drejtues në reformën zgjedhore", tha ai. Por, sikurse dhe për çështje të tjera me rëndësi madhore, Partia Socialiste e opozitës e kushtëzon reformën zgjedhore me transparencën e zgjedhjeve. Sipas saj, nuk mund të ketë bashkëpunim për këtë çështje pa u zhvilluar më parë hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar. Ndërkohë, reformimi i ligjit zgjedhor ka gjetur mbështetjen e partive të tjera opozitare, PDS dhe PBDNJ. Paskal Milo, kryetar i PDS-së, thotë se partia që ai drejton "është e interesuar për hartimin e një ligji zgjedhor, që të mos ketë vetëm vulën e dy partive të mëdha, PD-PS, por të jetë një reformë konsensuale e mbi të gjitha transparente". Në këtë linjë është dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili mbështet idenë e konsensusit të të gjitha palëve për kodin zgjedhor. Ndërsa, Partia Socialdemokrate, pjesë e koalicionit opozitar, kundërshton nisjen e një reforme zgjedhore, pa bërë më parë transparencën e zgjedhjeve. "Kjo është një kundërvënie e hapur ndaj kërkesës kushtetuese të opozitës dhe rezolutave të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian që kërkojnë hetim të zgjedhjeve dhe nxjerrjen e shkaktarëve të manipulimit", ëshë shprehur Gjinushi. Nga ana e saj, Partia Republikane, pjesë e maxhorancës, ka piketuar disa nga momentet ku duhet të fokusohen ndryshimet e ardhshme në ligjin zgjedhor. Sipas kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, një ndër ndryshimet themelore që duhet të reflektohet në kod është ndryshimi i sistemit, nga proporcional rajonal, në proporcional kombëtar./s.s./
KOMENTE