English

Viti 2010, Ekonomia Boterore Po Shenon Rritje

-BSH-ja, publikon raportin mbi ekonominë botërore- TIRANE, 3 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Ekonomia botërore është karakterizuar nga rritja e aktivitetit ekonomik gjatë muajve të parë të vitit 2010, e nxitur nga gjallërimi i kërkesës së vendeve në zhvillim. Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar së fundi prej saj, mbi zhvillimet në ekonominë botërore, vlerëson se politikat stimuluese të ndjekura nga vendet e zhvilluara dhe rritja e tregtisë ndërkombëtare, janë faktorë që po rigjenerojnë progresin ekonomik ndërkombëtar. "Projeksionet për të ardhmen sugjerojnë vazhdimësinë e rikuperimit në pjesën më të madhe të ekonomive", theksohet në raportin e BSH-së, ku ndër tjera evidentohet se, megjithatë, papunësia mbetet në nivele të larta, duke reflektuar besimin e ulët të bizneseve në të ardhmen dhe investimet e pakta të tyre për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Sipas BSH-së, presionet inflacioniste, megjithëse të ulëta, kanë vazhduar të shfaqin prirje rritëse gjatë vitit 2010, si rrjedhojë e gjallërimit të kërkesës në nivel botëror. Tregjet financiare kanë shfaqur luhatshmëri të shtuar, në përgjigje të shqetësimeve të aktorëve kryesorë të tregut lidhur me problemet e borxhit publik të disa prej vendeve të Eurozonës. Nevoja për konsolidim buxhetor në pjesën më të madhe të këtyre vendeve si pasojë e përkeqësimit të treguesve fiskalë pritet të kushtëzojë në një masë të madhe zhvillimet ekonomike në të ardhmen. Raporti nënvizon se, takimi i fundit i G20, i cili përfaqëson një nga forumet më të larta botërore për diskutimin e politikave ekonomike, doli me një mesazh të qartë për nevojën e konsolidimit fiskal dhe fillimin e përpjekjeve të menjëhershme për kontrollin e borxhit publik. BSH-ja, vëren se përmirësimi i treguesve ekonomikë ndërkombëtar, pritet të reflektohet dhe në ekonominë shqiptare, e cila ka shënuar një përmirësim gradual gjatë kësaj periudhe, trajektore të cilën ajo pritet ta ruajë edhe në gjysmën e dytë të vitit./s.s./
KOMENTE