English

Vlorë- Veshjet Popullore Tradicionale, Vlera Për Turizmin

VLORË, 3 Korrik /ATSH-H.Koçi/ - Veshjet popullore janë kthyer në një tjetër tërheqje për turistët e huaj, që zgjedhin Vlorën për të kaluar ditë pushimi, por për të ende mungon tregu i shitjes. "Ka interes në rritje nga të huajt për veshjet e traditës, por fatkeqësisht në Vlorë mungon tregu", tha për ATSH-në, Thanas Gega, etnolog dhe muzikolog i pasionuar pas kostumeve popullore. Sipas tij, funksionimi i një tregu të tillë do të ishte me mjaft vlera ekonomike dhe promovuese. "Në fshatra të ndryshme ka persona që mundohen të ruajnë traditën në prodhimin artizanal të veshjeve popullore, por fatkeqësisht ata nuk stimulohen", nënvizon ai, duke shtuar se veshjet e traditës kanë karakteristikat që lidhen, veç të tjerash, me karakteristikat e terrenit, trevave, klimën etj. - Veshjet popullore, sipas zonave - "Në vendet malore me klimë të ftohtë dhe me blegtori të zhvilluar, veshjet popullore në pjesën më të madhe, bëheshin prej leshi. Në ndonjë zonë të veçantë të Lumit të Vlorës, përdorej dhe liri apo gjeshtra për veshje e shtroje", thotë Feti Brahimi, rapsod i njohur dhe drejtues i grupit folklorik të Lapardhasë. Veshja më e vjetër e gruas labe, sipas tij, është ajo me fustan. "Një veshje e mëvonshme kanë qenë dhe çitjanet, që përbën një element krejtësisht të ndryshëm nga veshja e vjetër tradicionale e lidhur kjo me ndikimet në momente të ndryshme historike", shton studiuesi Sejmen Gjokoli. Sipas tij, veshja e burrave ka më tepër elementë të origjinalitetit, ku veshja më e vjetër është me këmishë të gjatë, me fustanellë e tirq kofshor, me poture e tirq gjunjare, veshje me qillota. Pjesë e kostumeve dhe veshjeve popullore janë edhe opinga e lopës, këpucët me profka, opinga me shollë të rregjur, opinga me xhufka, si edhe qylafi i bardhë me thumb në majë. Por, panoramën e veshjeve dhe kostumeve popullore në trevat e Vlorës e plotëson dhe tradita e fshatit Nartë. Etnologu Thanas Gega, thotë për ATSH-në se, kostumet e traditës të popullsisë së këtij fshati janë tërësisht të veçanta dhe nuk ngjasojnë me asnjë tjetër në trevat e Vlorës, madje edhe të vendit. "Duket sikur veshjet e grave nartiote kanë elementë ngjashmërie me ato të zonës së Bregdetit të Himarës, por kjo nuk është aspak e vërtetë", nënvizon ai. Veshjet në këtë zonë, sipas Gegës, janë të punuara kryesisht me satin, një element unikal në materialet që përdoren për veshjet popullore, si dhe lir. Ai veçon edhe modelet kryesore të prodhimit të këtyre kostumeve të cilat janë ato me fustan të gjatë, të bardhë, me pala e me flokë ngjyrë trëndafili, apo ngjyrë deti, si dhe të tjera, ku dominon e zeza, e verdha dhe e kaltra./ch/ -
KOMENTE