English

Dhjetra Pushues Nga Italia Ne Plazhet E Vlores

VLORE, 4 Korrik/ATSH-H.Koçi/.- Dhjetra pushues nga Italia e jugut kanë mbërritur sot në qytetin e Vlorës, për të kaluar fundjavën në plazhet e këtij bregdeti. Mimo, një 40 vjeçar nga Brindisi, thotë për ATSH-në se, ka ardhur bashkë me bashkëshorten për të kaluar ditën e sotme në Vlorë në plazhet e këtij bregdeti, që ai i cilëson "të mrekullueshme". "Kam ardhur prej mbrëmjes së djeshme dhe do të qëndroj deri nesër (e hënë) në mëngjes, kur do të rikthehem sërish në vendin tim", thotë Mimo, që, së bashku me dy miq të tij, një çift bashkëshortësh nga Vlora, janë ulur të drekojnë në një lokal pranë tunelit në Ujin e Ftohtë. Mimo thotë se është hera e parë që vjen në Vlorë, pavarësisht se Brindisi është shumë afër. "Vlora më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Është një qytet i bukur dhe ka një bregdet dhe plazhe të këndshme", tregon ai, teksa bashkëshortja, një brune me kaçurrela të dendura, miraton me kokë. Prania e tyre dhe e disa turistëve të tjerë nga Italia, spikat në lokalin e vogël pranë plazhit në afërsi të tunelit në Ujë të Ftohtë. Kjo edhe për faktin se ata bashkëbisedojnë paksa me zë të lartë, teksa shijojnë midhjet dhe peshkun e gatuar në lokalin "Tek Vironi". Në këtë plazh të vogël pushojnë bashkarisht, qytetarë nga Vlora, nga Tirana, nga Fieri, Berati, por edhe nga Italia, nga Maqedonia, nga Kosova, madje, sipas pronarit të lokalit, Vironit, është edhe një çift nga Kroacia. Është një plazh i vogël që ka vend për të gjithë dhe ku flitet në disa gjuhë të ndryshme. "Këto ditë, veçanërisht në fundjavë, këtu në këtë plazh, vijnë mjaft turistë nga Italia, nga Maqedonia dhe Kosova, por më rrallë edhe nga vende të tjera si, Mali i Zi, apo siç ka ndodhur sot edhe nga Kroacia", thotë Vironi. /a.ke/
KOMENTE