Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Reportazh/ Preza, Miti I Ripërtëritjes Së Një Qyteze
English

Reportazh/ Preza, Miti I Ripërtëritjes Së Një Qyteze

TIRANË, 4 Korrik/ATSH, Erla Gjikolli, Suada Daci/- Pasi kalon mespërmes autostradës Tiranë-Durrës dhe hyn në të djathtë në segmentin që lidh Vorën me Aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Rinasit, një kthesë të çon në një rrugë të ngushtë, të asfaltuar, e dendur me ullishte e pemë frutore. Rruga që rrihet nga shumë automjete të drejton në hyrje të komunës Prezë, rreth 20 km nga Tirana, për të cilën thuhet se ka ekzistuar që në kohët e lashta, e njohur si qyteti Feniks për shkak të rrënimit dhe rindërtimit përgjatë shekujve. Një pamje sa befasuese aq dhe e bukur, ofron një gjelbërim të përjetshëm ullinjsh dhe drurësh të tjerë që rriten në hapsirat e zonës së Shqipërisë së Mesme. Teksa afrohemi dret qendrës së Prezës, rruga fillon e tregon si 'në pëllëmbë të dorës', pamje të fshatrave përreth, ndërsa më pas rruga fillon e kufizohet në dy anët e saj me shtëpi të vjetra një katëshe dhe vila të ndërtuara kryesisht me gurë për të na çuar në qendër të fshatit. Arkitektura karakteristike e zonës së Shqipërisë së Mesme, me gurë të gdhëndur dhe harqe të vegjël mbi dyer dhe portat e banesave dhe oborreve dominon ngado. Parkojmë në një shesh të vogël, përkrah disa automjeteve të tjera me targa vendase dhe të huaja duke menduar sa bashkë me ne kanë ardhur turistë të huaj. Jemi gabuar, sepse nga bisedat që shkëmbejmë me ta, ,esojmë se janë të gjithë prezakë, që jetojnë prej vitesh jashtë Shqipërisë. "Vij pothuajse dy herë në vit në fshat për të takuar famlijen", thotë Agimi, një 30 vjeçar që jeton në Itali nga vitet 90'. Me kursimet e tij ai ka ndërtuar vitet e fundit në Prezë një restorant të vogël, shumë pranë kalasë. "Është një biznes familjar ku punojnë prindërit dhe vëllezërit e mi. Janë ata që kujdesen", thotë Agimi, duke na treguar se përgjithësisht prezakët i sigurojnë të ardhurat e tyre nga emigracioni dhe bujqësia. Kureshtare shkojmë në Kalanë e Prezës, e përmendur për herë të parë nga Marlin Barleti në veprën e tij "Historia e Skëndërbeut", ku na tërheq vemendjen një pus i vjetër, i shpallur Monument Kulture aty, para qendrës së kalasë. "Në voglinë time, mbaj mend se pusi përdorej nga banorët e tregtarët për pastrimin e ambienteve përqark, ku në atë kohë zhvillohej pazari një herë në jave", na tregon Ramazan Prençi, një banor autokton rreth të 70-ave. Por ai shton edhe se aso kohe pusi përdorej nga besimtarë myslimanë për të marrë avdes përpara faljes në xhaminë që gjendet brenda kalasë mitike të Prezës. Rruga që na dikton drejt hyrjes në kala, tatëpjetë dhe e shtruar me kalldrëm, përfundon tek një portë e lartë druri, ku ndodhet edhe një mbishkrim, prej të cilit mësojmë më shumë për historinë e kalasë së Prezës. "Mendohet se kalaja është ndërtuar në shek, III-të para Krishtit dhe që nga ajo kohë deri në shek. e XIX-të është rrënuar dhe rindërtuar krejtësisht disa herë dhe nga kjo mori edhe emrin qyteti Feniks (kultin e lashtë egjiptian që simbolizon ripërtëritjen)...", thuhet në mbishkrim. Me një sipërfaqe rreth 3 dynym, kalaja në kodër me 270 metra mur rrethues ofron pamje panoramike, prej nga shihet qyteti i Tiranës, Kalaja e Petrelës, Rinasi, deti Adriatik i Durrësit e Lezhës dhe Kruja. Në trup, kalaja mban edhe kullën e sahatit të vitit 1800, xhaminë dhe një restorant që thellon edhe më shumë karakteristikat historike të zonës. "Gjatë gjithë periudhave, nga koha Iliro-Romake e deri në Luftën e Dytë Boterore, ky vend është lakmuar e pushtuar nga të huajt", na tregon Ibrahim Hoxha, një prezak që takojmë afër xhamisë. Sipas gojëdhënave dhe dokumenteve, shton ai, Preza ka qënë në formën e një qyteze. Thuhet që në viti 1912 dhe deri ne vitin 1920 qeverisja e vendit bëhej nga pleqësia, ku qeveriste kryeplaku sëbashku me katër kryetarët e lagjeve. Ndërsa duke filluar nga viti 1921 dhe në vazhdim qeverisja e vendit mori atributet e një forme më të organizuar, duke u ngritur kështu Komuna e parë. "Komuna Prezë sot është e ndarë ne shtatë fshatra me një popullsi të përgjthshme prej rreth 6 mijë banorë", na thotë kryetari i komunës, Mehmet Halili, që na mirëpret në zyrën e tij. Mes shumë shkresash mbi tavolinë, Halili ndalet tek plani rregullues, zbatimi i të cilit synon shndërrimin e Prezës në një pikë atraktive turizmi. -Përshtatshmëria e natyrës për turizmin e aventurës- Fshati ka një pozicion gjeografik shumë të mirë dhe është bekuar me burime fantastike natyrore dhe kulturore. Një kështjellë e rëndësishme kombëtare ofron pamje panoramike mbi kodrat e mbuluara me ullishte dhe vreshta, dy liqene tërheqëse gjenden në lugina, ndërsa atmosfera e qetë, afron paqe. "Rrjedhimisht banorët e Prezës po kuptojnë gradualisht avantazhet e tyre dhe po fillojnë të bëjnë investime për të zhvilluar industrinë e turizmit", thotë kryetari i komunës Halili, duke veçuar faktin se zonat që kanë një potencial të madh turizmi, që fatmirësisht nuk është dëmtuar nga tranzicioni. Zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm në Prezë konsiderohet si një sfidë për komunitetin, ndërsa për burimet e disponueshme, i arritshëm. "Plani i zhvillimit të turizmit përfshin kalanë dhe zonat perreth dhe synon transformimin e kalasë së Prezës në një nga asetet e mëdha me rëndësi rajonale dhe kombëtare, që bashkë me Krujën dhe Petrelen, theksojnë rëndësinë e tre kalave që rrethojnë qytetin e Tiranës", thotë kryekomunari. Në perëndim të fshatit Prezë ndodhet një zonë shumë tërheqese ku në luginat e saj shtrihen dy liqene. "Bukuria natyrore e qetësia e bëjnë këtë zonë një vend ideal për turizëm natyror, ekoturizmin, për kajak, not, zhytje, peshkim dhe ngjitje", tha Halili. Rreth 55% e komunës është e rrethuar me kodra të larta, që ngrihen në rreth 255 metra mbi nivelin e detit. Pjesa që mbetet (45%) është e sheshtë, ultësirë. Ky plan për zhvillimin e turizmit bazohet në zonën kodrinore perëndimore të komunës, që parashikohet të ofrojë potencialin kryesor për zhvillimin e turizmit. Me ketë projekt synohet që Preza të spikasë si vend turistik, duke ndihmuar kështu në rritjen ekonomike dhe përmirësuar ndjeshëm jetën e komunitetit. -Infrastruktura për Prezën turistike- Ashtu siç tregon kryekomunari Halili, dy vitet e fundit në komunën e Prezës janë bërë investime më të ardhura kryesisht nga shteti, Fondi i Zhvillimit, fondet e vetë komunës dhe donatorëve, të cilat kanë prekur kryesisht infrastrukturën, rikonstruksionin e ujësjellësit dhe sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. "Janë shtruar rrugët në fshatrat Ahmetaq, Gjeç Kodër, Palaq, Fushë Prezë dhe Ndërmjetës, që para vitit 2007 ishin të amortizuara totalisht", tregon specialisti i Saimir Alushi, duke theksuar edhe punën e mirë edhe për rikonstruksionin e ujësjellësave në to. Ndërkohë, problemet në sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza kanë përfunduar në fshatrat Fushë Prezë, Breg Shkozë dhe Gjeç Kodër. Me një total investimesh prej 208 milion lekë gjithsej, komuna ka sistemuar Pazarin e Prezës, ka realizuar ndriçimin e Kalasë, rikonstruktuar qëndrën shëndetësore në Prezë, kopshte, shkolla, ka shtuar sipërfaqen pyjore etj. Ndërsa për dy vitet e ardhshme komuna ka planifikuar të shpenzojë 438 milion lekë për të forcuar më tej themelet e Prezës turistike. Të ndodhur përballë një realitetit të tillë befasues dhe mjaft tërheqës, nuk mbetemi dot indiferente, aq më pak inaktive, sepse këtu në Prezë të pushton dëshira për t'u bërë pjesë e këtij realiteti turistik, që natyra i ka falur shumë njëlloj si nëpër një seri tablosh impresioniste plot kolor, dritë dhe ngrohtësi. Nuk mund të mos mendojmë për nje rikthim drejt Prezës, një mrekulli natyrore, që të lë pa fjalë.../n.m/
KOMENTE