English

Durrës: Mot I Kthjellët Dhe Kushte Shumë Të Mira Detare

DURRËS, 5 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Prej një jave situata meteorologjike në rajonin e Durrësit vazhdon të jetë e mirë dhe kushtet detare favorizojnë edhe sot lundrimin e anijeve dhe motopeshkatoreve. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit bënë të ditur për ATSH-në se moti i kthjellët, me erë të lehtë nga perëndimi, do të shoqërojë edhe sot situatën sinoptike në këtë rajon, ndërsa temperaturat e ajrit do të jenë mbi kuotat 30 gradë Celsius. Tragetet e linjës Bari-Durrës tashmë janë ankoruar në portin më të madh të vendit dhe gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe tragete e katamaranë të tjerë, të cilët po kryejnë lundrime shtesë dhe që do të lehtësojnë rikthimin për pushime të mijra bashkëatdhetarëve që punojnë dhe jetojnë në vendet e Evropës perëndimore. Që në orët e para të ditës ka nisur normalisht përpunimi i anijeve me mallra dhe kontejnerë, ndërsa trafiku i mjeteve lundruese në portin e Durrësit parashikohet të jetë i madh. Kushtet detare janë mjaft të favorshme për lundrimin e motopeshkatoreve, të cilat kanë dalë masivisht për gjueti në zonën nga grykëderdhja e lumit Seman në jug deri në atë të Bunës në veri, thanë burimet e kapitenerisë. /s.s./
KOMENTE