English

PS: Meta të japë dorëheqjen për skandalin e zyrtarit të zhytur në trafik droge

Tiranë, 5 korrik 2010, NOA – Janë ashpërsuar tonet mes opozitës dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, kur këtij të fundit socialistët i kërkuan sot të japë dorëheqjen, për shkak të implikimit dhe arrestimit për trafik droge të premten, brenda në ambasadën e SHBA-ve, të zyrtarit të ministrisë Jashtme, Almir Rrapo.

Ishte deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla që deklaroi kërkesën e opozitës për dorëheqjen e ministrit Meta, duke akuzuar ministrinë e Jashtme për papërgjegjshmëri në deklaratën e një dite më parë, ku përgënjeshtrohej funksioni i zyrtarit të arrestuar, i cili nuk kishte patur funksion diplomatik.

“I kërkojmë sot Ilir Metës të japë dorëheqjen në shenjë përgjegjësie për këtë incident të rëndë që ka prekur ministrinë e Jashtme. Ky skandal i turpshëm bëhet edhe më i thellë me reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme, sipas të cilit ky individ na paska qenë marrë në punë si sekretar personal i Ministrit brenda të gjitha rregullave dhe me konkurs, kur në fakt nuk ka patur asnjë konkurs. Fakti që ky person është i katërti në listën e të arrestuarve nga radhët e LSI-së e shton edhe më shumë këtë përgjegjësi”, theksoi deputeti Balla.

Ai rikujtoi edhe njëherë për mediat krizën e qeverisjes së mazhorancës, duke nënvizuar se mazhoranca do të japë llogari përpara ligjit për të gjitha krimet e kryera.

Sipas deputetit të PS-së, zyrtari i arrestuar si i kërkuar nga drejtësia amerikane për trafik ndërkombëtar droge ishte sekretari personal i ministrit të Jashtëm, Ilir Meta gjë që tregon krizën e qeverisjes dhe degradimin e qeverisë së Sali, Ilir, Lulzim Berishës, duke e thelluar idenë se qeveria e Berishës, sipas Ballës, është e zhytur thellë në korrupsion, kontrabandë, trafiqe, lidhje me krimin e organizuar dhe organizatat mafioze.

Deputeti Balla duke evidentuar vjedhjen e votës dhe mostransparencën e saj, tha se këta kriminelë janë infiltruar në të gjitha nivelet e qeverisë së ngritur mbi vjedhjen e votës së lirë.

Deputeti socialist ngriti edhe çështjen e strukturave të lidhura me mafian, sipas informacioneve të detajuara të kreut të SHISH-it, duke ritheksuar se diplomatë shqiptarë po japin informacione sekrete të NATO-s për shërbimet inteligjente ruse dhe të tjera.

Në këtë kontekst deputeti Taulant Balla duke bërë direkt përgjegjës kreun e mazhorancës, Sali Berisha, tha se “Berisha e di kush janë këto struktura të qeverisë dhe kush janë këta diplomatë, sepse këtë kriminelët kanë bekimin e DON SALI VICIDOLIT, sponsori kryesor i mafieve serbe dhe ruse që i janë vërsulur Shqipërisë”.

Balla shtoi ndër të tjera se edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është ende një kriter i papërmbushur në rrugën drejt liberalizimit të plotë të vizave, një proces që po mbahet peng e po shtyhet pambarimisht për faj të Sali Berishës.

mit/NOA
KOMENTE