English

Dy djem shqiptarë rrahin për vdekje të riun indian, trupin ia hedhin në plazh

Halkidha, Greqi, 6 Korrik 2010 NOA – Jo thjeshtë vdekjen, por edhe tmerrin pambarim ka parë me sy dhe ka përjetuar frikshëm një i ri indian, pasi është masakruar nga dy djem që policia i identifikoi si shtetas shqiptarë, emigrantë në Greqi.

Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se ngjarja e rëndë, ka shokuar opinion publik në Greqi, por më shumë ka tmerruar turistët në plazhin e Halkidhës, veçanërisht një grup fëmijësh që duke u larë në breg të detit, gjetën trupin e pajetë të indianit të vrarë.

Policia greke duke konfirmuar ngjarjen tha se mori dëshmi nga disa persona që e kishin parë ngjarjen, momentet kur dy djemtë rrahën indianin 26-vjeçar dhe identifikuan dy të dyshuarit.

Zyrtarisht policia tha sot se ka arrestuar dy shqiptarë, përkatësisht 19 dhe 24 vjeç, si autorë të vrasjes së kryer në bashkëpunim.

Nga hetimi ka dalë se natën duke gdhirë dita e djeshme, dy djemtë kanë futur në mes të riun indian dhe e kanë goditur me grushte dhe sende të forta.

Dhuna fizike ka vazhduar derisa i riu ka ndalur së marri frymë. Më tej, trupi i indianit është hedhur në det, pikërisht pranë zonës së plazhit të Halkidhës, në vendin e quajtur Kripidhoma.

Në orët e paradites së djeshme në plazh janë dyndur pushuesit. Papritur, kur një grup fëmijësh po lahej afër bregut, janë gjendur pranë një kufome. Të lemerisur kanë kërkuar ndihmë dhe disa të rritur janë afruar t’i largojnë.

Në çast është njoftuar policia dhe një grup hetimor ka mbërritur duke tërhequr kufomën.

Ekspertët thanë se shenja të shumta dhune kishte në trupin e të ndjerit. Viktima u identifikua të ishte një 26-vjeçar indian, prej kohësh emigrant në Greqi.

Duke marrë dëshmi nga banorët e zonës, policia arriti të gjente dëshmi kyçe nga dy persona, grekë, të cilët treguan se gjatë natës kishin parë dy shqiptarët, të njohur si banorë të zonës, teksa rrihnin 26-vjeçarin indian, por më tej, nuk dinin se çfarë kishte precipituar.

Viktima kishte disa vjet që punonte dhe jetonte në Halkidha, zonë bregdetare greke, e po ashtu, vite kishin që jetonin në këtë krahinë dhe dy të rinjtë shqiptarë, emrat e të cilëve policia refuzoi t’i publikojë për shkak të ligjit grek që ndalon publikimin në media të të dhënave personale të personave të padënuar me vendim gjykate të formës së prerë.

Kërkimet e policisë bënë të mundur që sot të arrestohen dy shqiptarët e dyshuar të cilët u identifikuan nga dëshmitarët që kishin parë një pjesë të ngjarjes.

Gjatë arrestimit, policia konstatoi se 24-vjeçari kishte njërën dorë të fashuar, mesa duket nga goditjet që kishte kryer kurse tjetrit, 19-vjeçarit iu gjetën njolla gjaku në rrobat që mbante ende në trup.

Dy të dyshuarit, 19 dhe 24 vjeç, akuzohen për tortura me pasojë vdekjen dhe vrasje të kryer në bashkëpunim.

Policia konfirmoi se dy autorët e pranuan krimin dhe thanë se ai erdhi në gjaknxehtësi e sipër për shkak të një grindjeje për mosmarrëveshje mes tyre dhe 26-vjeçarit indian që i morën jetën.

n.s/r.n/NOA

KOMENTE