English

Vlorë: Dumani, Eshte Parandaluar Rreziku I Perhapjes Ne Det I Solarit

VLORË, 6 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Rreziku i përhapjes në det i sasisë së solarit të derdhur prej një prej depozitave që ndodhen në mjediset e portit të Vlorës, pronë e "Taçi Oil", për momentin është parandaluar, ndërsa kompania është gjobitur me 500 mijë lekë si masë administrative. Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i Agjensisë Rajonale të Mjedisit, Niko Dumani, tha se "kompania "Taçi Oil" mori masat për të parandaluar pasojat e derdhjes së një sasie prej disa dhjetra tonë bitum në gjendje të lëngët, duke ndërtuar prita me rërë, që bashkë me lokalizimin e sasisë së solarit të derdhur, e mban larg vijës së detit, në një distancë prej rreth 40 metra". Në bashkëpunim me përfaqësuesit e kompanisë u përcaktuan masat e mëtejshme për të parandaluar rrezikun e pritshëm dhe situata do të ndiqet në vazhdimësi, tha ai. Dumani thotë se "janë 20-30 tonë bitum i lëngshëm që janë derdhur gjatë procesit të shkarkimit mbrëmjen e djeshme nga autobotet e kompanisë, por është në proces përcaktimi i shkakut që solli këtë incident, që mund të jetë rrjedhojë e një defekti në linjën e shkarkimit nga autobotet drejt depozitave, ose dëmtimit të njerës prej tyre". Gjithsesi, "ndaj kompanisë u aplikua një gjobë prej 500 mijë lekë, si masë administrative", tha ai. Në mjediset e portit të Vlorës ndodhen dy depozita të mëdha, ish- pronë e kompanisë shtetërore ARMO, që pas privatizimit i kanë kaluar në pronësi kompanisë "Taçi Oil", përmes të cilave, kryhet aktiviteti i import-eksportit të produkteve të naftës, siç është edhe bitumi (solari)./n.m/
KOMENTE