English

Rrëmbehen dy djem, gjashtë pengmarrësit kërkojnë 180 mijë euro

Prishtinë, 7 Korrik 2010 NOA – Dy persona janë rrëmbyer dhe një shumë prej 180 mijë eurosh është kërkuar në këmbim të lirimit të tyre. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë dhe si përgjegjës të saj konsiderohen gjashtë persona, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Policia u njoh me ngjarjen dje rreth orës 13:40 kur në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë është paraqitur ankuesi H. Sh. i cili ka raportuar se vëllai i tij E. Sh. së bashku me shokun e tij Y. I. janë rrëmbyer nga persona të panjohur.

Viktimat ishin rrëmbyer më 06. 07.2010 rreth orës 10:00, në dalje të Prishtinës dhe janë mbajtur aty të izoluar deri në ndërhyrje të policisë.

“Fatmirësisht asnjëri nga viktimat nuk ka pësuar lëndime gjatë kohës sa kanë qëndruar të izoluar”, - i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare nga policia e Kosovës.

Të dyshuarit kishin kërkuar nga ankuesi një shumë të hollash prej 180 mijë euro, për t’i liruar personat të cilit ishin rrëmbyer.

Njësia e Hetimeve Rajonale e Prishtinës i është përgjigjur rastit dhe me një plan të menduar mirë ka filluar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të bërë lirimin e personave të rrëmbyer.

Pas identifikimit të personave të dyshuar dhe gjetjes së lokacionit, njësia e hetimeve rajonale të Prishtinës ka organizuar një operacion taktik dhe në sajë të një intervenimi shumë profesional ka arritur të lirojë viktimat.

Ndërkohë të gjithë personat e dyshuar të përfshirë në rastin e rrëmbimit janë arrestuar. Ata janë:

B. A, 35 vjeç, N. A, 38 vjeç, L. A., 43 vjeç, T. A., 28 vjeç, M. O., 36 vjeç, N. B., 39 vjeç, që të gjithë shtetas shqiptarë nga Kosova. Bëhet e ditur se gjatë arrestimit është gjetur në posedim një pistoletë nga një i dyshuar.

Dyshohet se motivi i këtij rasti është një borxh në vlerë prej 180 mije euro që njeri nga viktimat e këtij rasti u ka pasur të dyshuarve.

a.b/NOA

KOMENTE