English

Berisha pret bashkëshorten e Tony Blair, Cherie Blair

Tiranë, 8 korrik, NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim miqësor zonjën e ish kryeministrit britanik, Tony Blair, Cherie Blair, e cila ndodhet për një vizitë në Tiranë.

Në këtë takim ku ishte e pranishme edhe zonja e kryeministrit, Liri Berisha, Cherie Blair i përcolli Kryeministrit Berisha, përshëndetjet e bashkëshortit të saj, Tony Blair, i cili sot po viziton Kosovën.

Zonja Blair i tha kryeministrit se qeveria shqiptare dhe shqiptarët do të gjejnë tek zoti dhe zonja Blair gjithmonë dy miq që do të mbështesin dhe përkrahin zhvillimin e vendit.

Kryeministri Berisha e falënderoi Cherie Blair për mbështetjen dhe përkrahjen që ajo dhe fondacioni që ajo kryeson i ka dhënë shumë nismave të rëndësishme të ndërmarra nga Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” dhe nga shoqëria civile, në ndihmë të fëmijëve në nevojë dhe të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e njohu zonjën Blair me reformat e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht në reformat për zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja në vend, luftën e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit, forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në kuadër dhe të plotësimit të kritereve dhe standardeve që çuan në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe që do të bëjnë të mundur realizimin e projekteve madhore për shqiptarët, liberalizimin e vizave me BE dhe integrimin në BE.

Cherie Blair evidentoi me kënaqësi se Shqipëria ka shënuar arritje të mëdha në vitet e fundit, duke theksuar se reformat e qeverisë shqiptare dhe progresi i Shqipërisë kanë qenë të jashtëzakonshme.

Ajo vlerësoi edhe punën mjaft të suksesshme të fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” dhe të shoqërisë civile, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve, grave dhe vajzave në nevojë, duke ritheksuar se mbështetja e saj dhe e fondacionit që ajo drejton do të jetë e vazhdueshme. Në fund të takimit kreu i qeverisë, i shprehu zonjës Blair, gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar mbështetjen dhe përkrahjen e shoqërisë civile.

mit/NOA
KOMENTE