English

Prifti: Synojme Modernizimin E Kompanise "Alpetrol"

-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaron në Kuvend "se miratimi i aktit normativ do t'i japë të drejtën Albpetrol të shesë naftë me çmim burse"- TIRANE, 8 Korrik /ATSH/- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, tha sot në seancën plenare te Kuvendit, se miratimi i aktit normativ të qeverisë, do t'i hapë rrugë kompanisë shtetërore "Albpetrol", të shesë naftën me çmime burse. Në fjalën e tij, ministri Prifti sqaroi motivet që e çuan qeverinë të hartojë aktin normativ në fjalë, për të cilin ai ftoi deputetët ta miratojnë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve për aktin normativ, ministri Prifti tha se, është normale që kompanisë Albpetrol t'i jepet e drejta të shesë naftën me çmime burse, duke qenë se nafta është një produkt që në të gjithë botën shitet me çmime burse. Madje, sipas Priftit, kjo e drejtë i duhej dhënë me kohë kompanisë Albeptrol, kompani që gjatë tre-katër muajve të fundit nuk ka mundur të shesë dot naftën e nxjerrë, pasi ligji deri tani i njihte të drejtën që këtë naftë t'ia shesë vetëm ARMO-s, e cila në muajt e fundit nuk ka mundur ta blejë dot për probleme të investimeve në teknologji. Kompania Albpetrol ka një licencë pa afat për shfrytëzimin e disa vendburimeve të naftës. Disa prej puseve Alpetroli ua ka transferuar kompanive private përmjea kontratave koncesionare. Përveç naftës që nxjerr vetë, Albpetroli përfiton edhe rentën minerare. Bëhet fjalë për një pjesë të prodhimit që realizohet nga kompanitë private të nxjerrjes së naftës. Sipas METE-s, pas privatizimit, renta minerare do t'i transferohet si e drejtë qeverisë shqiptare. Aktualisht, ka shtatë marrëveshje të tilla, nga të cilat njëra është në fazën e prodhimit, ndërsa të tjerat janë ende në fazën e kërkimit dhe zhvillimit. Kompania Albpetrol ka më shumë se 60 vjet përvojë në nxjerrjen e naftës dhe gazit. Aktualisht, ajo mbetet një ndër kompanitë më të rëndësishme, ende shtetërore, e cila është në prag të privatizimit./e.xh/ s.s./
KOMENTE