English

Spahiu: Asgjesimi I Municioneve Të Tepërta, Brenda Vitit 2013

TIRANË, 8 Korrik/ATSH/ - Municionet e tepërta luftarake do të likujdohen brenda vitit 2013, tha sot zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu gjatë një konference shtypi, ku informoi për ecurinë dhe arritjet e shënuara në procesin e asgjesimit të municioneve luftarake të trashëguara që nga koha e regjimit komunist. Spahiu tha se, "me ecurinë e deritanishme dhe masat e mara, objektivi i Qeverisë që brenda vitit 2013, të likujdohen të gjitha municionet e tepërta, do të realizohet me sukses". Ai bëri të ditur se, gjatë këtij viti janë shënuar disa arritje të rëndësishme në procesin e asgjesimit të municioneve ushtarake. Sipas tij, vetëm në 6-mujorin e parë, u asgjesua sasia prej 8160 ton municion, nga 6540 ton municion i asgjesuar në të gjithë vitin 2009. "Në muajin qershor 2010 u arrit niveli më i lartë i asgjesimit prej 2283 ton municionesh, ndërkohë që nuk ka patur asnjë aksident", tha Spahiu. Në Qershor u shënuan dhe disa arritje të tjera, ku Spahiu veçoi eleminimin e një sasie prej 157 ton lëndë eksplozive dhe shumë e rrezikshme, përfundimin e demontimit industrial të predhave të mortajës 160 mm (3463) ton, që ishte kalibri më i madh që disponojnë Forcat e Armatosura, ndërsa u monitoruan dhe zbatuan normat mjedisore, ku të gjitha treguesit janë brenda standarteve. Shqipëria trashëgoi nga sistemi komunist qindra mijëra tonë municione të vjetëruara, që në mënyrë permanente kanë qenë një kërcënim serioz për sigurinë e vendit dhe jetën e qytetarëve. Për të mënjanuar këtë kërcënim dhe për të modernizuar Forcat e Armatosura, një nga prioritetet e punës së Ministrisë Mbrojtjes, është asgjesimi i municioneve të tepërta. I gjithë procesi i demontimit dhe asgjesimit të municioneve të tepërta realizohet në 3 Uzina Ushtarake dhe në 6 Poligonte. Procesi i demontimit të municioneve të vjetëruara ushtarake në Shqipëri ka mbështetjen e vazhdueshme te partnerëve ndërkombëtare. /a.m//a.ke/
KOMENTE