English

Durrës: Tragetet, Më Shumë Udhëtarë Dhe Mallra Në 6 Muaj

DURRËS, 9 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Më shumë se 258 mijë udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, me afro 59 mijë autovetura, kanë shfrytëzuar në periudhën janar-qershor të këtij viti tragetet që nisen dhe mbërrijnë në Durrës, duke shënuar një rritje graduale krahasuar me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme. Sipas burimeve zyrtare të drejtorisë së Autoritetit Portual, nga Durrësi në drejtim të porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali) janë nisur me tragete 142.856 udhëtarë, ndërsa 115.897 të tjerë janë regjistruar në hyrje. Shifrat janë përkatësisht 4 dhe 5 për qind më të larta se sa 6-mujori i parë i vitit 2009, ndërsa të njëjtat rritje graduale janë shënuar nga viti në vit, shtuan burimet. Numri i shqiptarëve që preferojnë tragetet ka mbetur në të njejtat kuota, u shprehën burimet portuale, duke theksuar se ka një rritje të shtetasve të huaj që udhëtojnë me tragete prej 8 dhe 13 për qind në hyrje dhe në dalje të portit të Durrësit. Brenda 6 muajve tragetet janë shfrytëzuar nga më shumë se 80 mijë shtetas të huaj, thanë burimet, duke saktësuar se në këtë shifër futën edhe qytetarët nga Kosova. Ndërkohë, tragetet kanë transportuar rreth 34 mijë kamionë dhe trajlera, me rreth 360 mijë ton mallra gjithsej, duke shënuar një rritje prej 45 mijë ton krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2009. Burimet thanë se megjithë rritjen e numrit të udhëtarëve dhe të autoveturave tragetet e kompanive të ndryshme kanë kryer 722 lundrime, ose 144 më pak se sa viti i kaluar, çka spjegohet me futjen në linjë të mjeteve lundruese me kapacitete të mëdha. /s.s./
KOMENTE