English

METE, grup pune për verifikimin e “Bankers Petroleum” në Visokë

Tiranë, 9 korrik, NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka ngritur sot një grup pune, i cili do të kontrollojë të dhënat e publikuara pak ditë më parë në Gazetën Shqiptare, sipas të cilave, kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, palë në marrëveshjen hidrokarbure me shoqërinë “Albpetrol” sh.a, ka dëmtuar pronën dhe shëndetin e banorëve të zonës, në rajonin naftëmbajtës të Visokës.

Sipas një urdhri të firmosur dy ditë më parë nga ministri Prifti, anëtarë të të tij do të jenë disa funksionarë të ministrisë së Ekonomisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, Albpetrol.

Sipas urdhrit në fjalë, grupi i punës ka për objekt verifikimin dhe kontrollin e të gjitha të dhënave të publikuara në Gazetën Shqiptare, në datën 1 korrik, në artikullin me titull “Bankers Petroleum, e dëmshme në popullatë”.

Sikundër thekson ministria e Ekonomisë, për verifikim e të dhënave në terren, ky grup do të hartojë një plan të detajuar veprimi, duke angazhuar dhe struktura të tjera të specializuara nën varësinë e METE-s.

Urdhri i ministrit të Ekonomisë, nënvizon se në rast se nga verifikimet dhe kontrolli rezultojnë shkelje të ligjshmërisë, grupi i punës do të përgatisë materialin kallëzues për ndjekje penale në organin e prokurorisë.

mit/NOA
KOMENTE