English

Shoqatat e UÇK: Sejdiu gaboi me dekorimin e kolonelit Tahir Zemaj

Prishtinë, 9 korrik, NOA – Shoqatat e Invalidëve, Veteranëve dhe Familjeve të Dëshmorëve të Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka përcjellë me indinjatë shpalljen “Hero i Kosovës” të kolonelit Tahir Zemaj, nga ana e presidentit Fatmir Sejdiu.

“Shoqatat e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së ndihen të fyera rëndë me këtë vendim të njëanshëm të presidentit të Kosovës, i cili padrejtësisht i dha titullin Hero i Kosovës njeriut që në vend t’i bashkangjitej luftës edhe pse i ra ndërmend të vinte shumë vonë dhe jo me qëllim të luftonte, në momentet më të rënda i braktisi radhët e UÇK-së, duke dezertuar në momentet vendimtare, në shtator të vitit 1998”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shoqatave.

Ato deklarojnë ndër të tjera se me këtë vendim, presidenti Sejdiu ka fyer rëndë dhe në mënyrën më të keqe ushtarët e plagosur të UÇK-së, të cilët i braktisi koloneli Tahir Zema si edhe invalidët e luftës të cilët edhe sot i vuajnë plagët e asaj tradhtie.

“Koloneli Tahir Zemaj nuk ishte heroi i Kosovës, por ai ishte tradhtari dhe antiheroi më madh i Kosovës”, citohet në këtë deklaratë më tej.

Duke shtuar se në asnjë vend të botës, ku me të vërtetë çmohen dhe mbrohen vlerat e lirisë, tradhtarët dhe dezertorët nuk dekorohen, nuk rehabilitohen kurrë.

n.e/NOA

KOMENTE