Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Thellimi i ndarjes
English

Thellimi i ndarjes

Në kushtet kur Kosova s’është sovrane, investimi në Bojan Stojanoviçin dhe të ngjashmit herët a vonë do ta ketë fatin e investimit në Oliver Ivanoviçin e Milorad Todoroviçin

Nga Albin Kurti*

Serbia e ka orientuar gjithë vëmendjen e opinionit publik në veriun e Kosovës, pra aty ku institucionet e Kosovës me politikën e tyre aktuale nuk kanë kurrfarë shansi.

Këtë gjë ajo e bën para vendimit të GjND-së dhe sidomos para bisedimeve të reja me Kosovën ku pritet që veriu i Kosovës të fitojë status special të autonomisë edhe përtej parashikimeve të 6 Pikëshit të Ban Ki Moon-it.

Përfundi lumit Ibër vijon të zbatohet Plani i Ahtisaarit. Serbisë i nevojitet qetësi për komunat e reja me shumicë serbe në Anamoravë. Atje pa zhurmë serbët po e territorizojnë pushtetin e tyre lokal.

Plani i Ahtisaarit, pa rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur që erdhi më vonë, dhe përveç në veri të Kosovës, është i pranueshëm për Serbinë. Boris Tadiçi nuk ka problem me zbatimin e Planit të Ahtisaarit në jug të Ibrit meqë konsolidimi i komunave të reja me shumicë serbe është i volitshëm për të.

Serbët në Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot etj. dolën në zgjedhje sepse nuk u penguan nga strukturat e dirigjuara nga Beogradi. Kuvendet e reja komunale në këto fshatra nuk mbajnë mbishkrimin ‘Republika e Kosovës’ dhe kanë simbole e stema serbe.

Në veri të Kosovës Serbisë nuk i mjafton Plani i Ahtisaarit, e mbase as 6 Pikëshi i Ban Ki Moon-it, sepse ajo e kontrollon më shumë se kaq këtë pjesë të Kosovës. Ndërkaq nëpër enklava në brendi të Kosovës, Serbisë i forcohet pushteti me Planin e Ahtisaarit.

Në veçanti Plani i Ahtisaarit në veri, por edhe cilado strategji për veriun, do ta dëmtonte ekonomikisht Serbinë. Veriu i Kosovës me pika të djegura doganore është shumë i vlefshëm për Serbinë nga e cila Kosova e merr një pjesë të madhe të importit të vet.

Meqë Plani i Ahtisaarit për veriun është i pamjaftueshëm për interesat e Serbisë, tash thuhet që veriu i Kosovës do të jetë tema kryesore e bisedimeve të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet janë paralajmëruar jo pse në pjesën tjetër të Kosovës Qeveria e Kosovës po arrin ta zbatojë Planin e Ahtisaarit, por pse Serbisë vetëm në veri nuk i konvenon zbatimi i këtij Plani.

Pra, bisedimet e reja do të bëhen në kuadër të ofertave më të reja për Serbinë që është përherë e pakënaqur, e jo për hir të sovranitetit a funksionalitetit të Kosovës. Shkëmbimi territorial paraqet një shprehje karrem dedikuar krerëve partiakë e institucionalë të Kosovës për retorikën e këtyre para qytetarëve.

Pas defaktorizimit ekonomik dhe ushatarak të Kosovës, asaj vetëm do t’i marrin territor por nuk do t’i japin territor. Shkëmbimi do të jetë veçse njëkahor, që do të thotë se nuk do të jetë shkëmbim, aq më tepër që bëhet fjalë për Serbinë, e cila si gjithmonë, do më shumë territor dhe nuk e jep territorin që e kontrollon. Beogradi nuk i ka dashur komunat e reja me shumicë serbe për shkak se ato komuna janë njësi administrative por, para së gjithash, për shkak se ato janë njësi territoriale. Serbia mund të të jep ca të drejta por ajo s’të jep territor. Serbëve mund t’iu ofrosh sa të duash të drejta e privilegje por Serbia do territor.

Pakrahasimisht më të rëndësishme Serbia e konsideron komunën e Graçanicës a Parteshit me territorin e këtyre sesa p.sh. ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Ata të cilët besojnë në Bojan Stojanoviçin e Graçanicës duhet ta kujtojnë Oliver Ivanoviçin e Mitrovicës apo Milorad Todoroviçin e Cërnicës.

Tetë vjet kanë investuar institucionet e Kosovës në integrimin e Oliver Ivanoviçit i cili në fund u bë Sekretar i shtetit në Ministrinë e Serbisë për Kosovë. Oliver Ivanoviç fort u pat integruar dikur në institucionet e Kosovës, por të gjithë e shohim se ku është ai sot. Ngjashëm edhe Milorad Todoroviç i cili, pasi punoi disa vite në institucionet e Kosovës dhe u pagua aty nga taksat tona, u bë këshilltar në po të njëjtën Ministri të Serbisë për Kosovën.

Javë më parë, ndërprerjen e punimeve në kompleksin ‘Marigona’, Bojan Stojanoviç e pat arsyetuar pikërisht me ruajtjen e strukturës etnike në Graçanicë (sic.). Serbia dëshiron që në komunat me shumicë serbe të mos lejohen ndërtime ku do të mund të banojnë edhe shqiptarët, gjë që ajo e ka bërë tashmë në veri.

Në kushtet kur Kosova s’është sovrane, investimi në Bojan Stojanoviçin dhe të ngjashmit herët a vonë do ta ketë fatin e investimit në Oliver Ivanoviçin e Milorad Todoroviçin. Serbët e Graçanicës, Ranillugut, Parteshit a Kllokotit nuk po integrohen në Kosovë siç mendojnë ministri Sadri Ferati dhe Qeveria e Kosovës.

Një mendim i tillë është shumë shkurtpamës. Serbët dalin në zgjedhje edhe në Bosnje që prej 15 vitesh, por njohja formale që ata ia bënë Bosnjes ishte për hir të dëmtimit të vazhdueshëm substancial të Bosnjes.

Serbët patën dalur masivisht në zgjedhjet e Kosovës në vitin 2002. Atëbotë i kishin 22 deputetë në Kuvendin e Kosovës, por dihet se sa u integruan ata në vitet në vijim. Këto integrime formale dhe koniukturale në sistem vetëm sa e maskojnë ndarjen e thellë në terren dhe bëhen mjet shtesë për thellimin e kësaj ndarjeje.

Kosova gjithnjë i ka bërë koncesione Serbisë. Këto koncesione janë zbatuar pastaj ndonëse Serbia nuk pranoi marrëveshje si tërësi të atyre koncesioneve. Si është e mundur kjo? Çka e mundëson apo kushtëzon këtë dukuri? Serbia e ka luksin e mospranimit të marrëveshjes përfundimtare pikërisht pse Prishtina i zbaton ato koncesione mandej edhe njëanshëm.

Duke e ditur që koncesionet e arritura do të zbatohen ashtu-kështu, Serbia nuk e pranon marrëveshjen në fund. Por, sërish, pse ajo mund ta bëjë këtë? Pse Serbia i fiton koncesionet pa humbur gjë që s’bëri marrëveshje? Thjesht, për shkak se marrëveshja të cilën nuk e pranon Serbia megjithatë mbetet marrëveshje midis Kosovës dhe faktorëve ndërkombëtarë që sundojnë me Kosovën.

Dokumentin e Ahtisaarit nuk e ka pranuar Serbia, por ai po zbatohet. Faktorët ndërkombëtarë që sundojnë me Kosovën dhe, njëkohësisht, ndërmjetësojnë midis saj dhe Serbisë, e imponojnë edhe zbatimin e marrëveshjeve të dështuara. Shpallja e pavarësisë nuk ndryshoi gjë në këtë aspekt.

(*) Dërguar nga autori, kryetar i Lëvizjes “Vetëvendosje”

KOMENTE