English

Tiranë: Përfundon Rikonstruksioni I Rrugës "Hamdi Pepa"

TIRANE, 9 Korrik/ATSH - Gjergji Mima/ - Zona periferike e Kombinatit do të jetë tërësisht e integruar me qendrën e kryeqytetit, falë një investimi nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, që mundësoi rikonstruksionin e plotë të rrugës "Hamdi Pepa", pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake Nr.6 (përballë ish-Kombinatit Ushqimor). Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama e ka cilësuar këtë ndërhyrje si pjesë e një pune tërësore dhe intensive nga ana e Bashkisë për transformimin e të gjitha territoreve brenda hapësirave të blloqeve të banimit, apo hapësirave të zhvillimit. "Me përfundimin e këtij investimi është shëruar një tjetër plagë urbane brenda një zone të rëndësishme të Tiranës, siç është periferia e Kombinatit. Tashmë kjo zone është tërësisht e integruar me qendrën e kryeqytetit dhe ku ne kemi zhvilluar dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë një punë rigjeneruese, deri në metrin e fundit katror që kërkon ndërhyrjen tonë", tha ai. Rruga "Hamdi Pepa" është rikonstruktuar sipas gjithë parametrave bashkëkohorë, me të gjithë komponentët e nevojshëm infrastrukturorë për një rrugë të standarteve europiane, me synim rritjen e ndjeshme të cilësinë së jetës për banorët e zonës. Ndërhyrja në këtë rrugë pritet të lehtësojë qarkullimin e mjeteve në Tregun Ushqimor. Sipas Bashkisë së Tiranës, "rehabilitimi i këtij aksi lindi si domosdoshmëri, pasi u konstatuan dëmtime të shtresave asfaltike". Në total, janë trajtuar 670 metra linearë me të gjithë standartet. Rruga ka një gjerësi 6 metra, me trotuarë nga të dyja anët, ndërsa është ndërhyrë edhe në trajtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut. Projekti i rrugës ka përfshirë edhe ndërhyrjen në sistemin e ndriçimit, i cili nuk ekzistonte, bëjnë të ditur burime nga Bashkia e kryeqytetit. /a.ke/
KOMENTE