English

Rehatimi i Ballkanit (1)

Një Kosovë e parehatuar mund të krijojë probleme për gjithë rajonin. Perëndimi duhet ta shfrytëzojë iniciativën rreth çështjes së Kosovës për ta bërë Bosnjën shtet më funksional, si dhe ta ndihmojë rritjen e integrimit të shqiptarëve në Maqedoni

Nga Morton Abramowitz dhe James Hooper Perdja është gati të ngrihet në aktin e radhës së diplomacisë ballkanike: mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në 2008, pritet të bëhet i ditur më vonë këtë verë. Mbështetja në GJND ishte një tentim mendjemprehtë diplomatik i Beogradit për të blerë më shumë se dy vjet kohë me qëllim të ngadalësimit të vrullit ndërkombëtar të njohjeve të Kosovës, dhe vendosjes në ngrirje të thellë të kandidaturës së saj për OKB. Askush nuk e di çfarë do të vendosë Gjykata, mirëpo: -Në qoftë se mendimi e favorizon Kosovën, kjo do t’i sjellë shtetit të ri shtimin e numrit të njohjeve nga 69 sa është tash, një numër i rëndësishëm, por ende i pamjaftueshëm. Por, Kosova nuk do ta fitojë njohjen nga Serbia, as pranimin në OKB për shkak të vetos ruse. As Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht nga serbët. Kosovës do t’i përmirësohet statusi i saj i pacaktuar. -Në qoftë se mendimi është kundër Kosovës, shteti i brishtë do ta mbajë pavarësinë e tij, por do t’i humbasë disa njohje bashkë me shpresën për të hyrë në OKB ose BE. Kosova do të mbetet pacaktueshmëri edhe më të rrezikshme, gjë që do të krijojë mundësi për dhunë serioze popullore kundër serbëve në Kosovë. -Nëse ndodh ajo që pritet nga shumica, Gjykata, me një frikë të kuptueshme nga pasojat e vendimeve të saj, nuk do të rreshtohet me asnjërën nga palët. Shumë shtete që kanë qëndruar mënjanë debatit për njohjen e Kosovës do të jenë më të hapura ndaj këtij opsioni, gjë të cilën Serbia e kupton shumë mirë. Duke u përballur me rënien e përkrahjes ndërkombëtare për kundërshtimin e tij të vendosur, Beogradi ka gjasa të kërkojë hapjen e negociatave me Prishtinën për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen. I pëlqeu apo jo, Kosovës do t’i duhet të përfshihet në bisedime, sepse protektorët e saj perëndimorë do të insistojnë. Ky skenar është edhe i rrezikshëm, edhe premtues, ndërsa do të ketë implikime serioze jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për shtetet fqinje, Maqedoninë dhe Bosnjën. Iniciativa e pashpresë e Serbisë Duke parashikuar përkrahje të vogël nga Gjykata, Serbia ka filluar që t’i paraprijë një nisme të re diplomatike. Ndonëse fillimisht mund të përpiqen për një raund tjetër të "ndërkombëtarizimit" të çështjes në Kombet e Bashkuara, zyrtarët e lartë të Beogradit janë duke iu pëshpëritur zyrtarëve perëndimorë dhe vizitorëve se ata duan një të arrijnë marrëveshje për Kosovën. Kjo në vetvete është risi, pas viteve të paraqitjes së kërkesave rreth Kosovës me një gjuhë rigide dhe emocionale. Perëndimi është duke vështruar me vëmendje. Por, për diplomatët perëndimorë është e paqartë nëse Beogradi është i gatshëm të bëjë kompromis me ato kushte që do ta bëjnë të mundshëm një rezultat stabilizues. Ndërmjetësuesit serbë këmbëngulin në tri gjëra: ndryshimin e rregullimit territorial dhe kthimin nën administrim të Serbisë të rajoneve të banuara me serbë në Veriun e Kosovës; trajtimin e veçantë për disa manastire ortodokse në Kosovë, dhe një mirëkuptim implicit që Perëndimi të mos i lejojë kosovarët të kërkojnë tepër për kompensim. Disa zyrtarë thonë se Serbia do të jetë e përgatitur ta ndërpresë fushatën kundër njohjeve të mëtejshme ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, dhe ndoshta ta lejojë Kosovën në OKB, por të mos e njohë atë. Mbetet për t'u testuar se sa e fuqishme është kjo pozitë. Motivimi i serbëve është i qartë: të gjendet zgjidhje për kufijtë, gjë që do t’iu mundësonte avancimin e agjendës së tyre të pranimit në BE, të mos pengohet rrjedhja e ndihmave europiane, si dhe të mbrohen linjat e tyre të brendshme politike. Disa në Europë pohojnë se do të ishte e papërgjegjshme të injorohej mundësia për ta hulumtuar fleksibilitetin e Serbisë rreth marrëdhënies së re me Kosovën. Duhet të shmanget një konflikt i ngrirë në Ballkan, që do të zgjaste në kohë të pacaktuar - shpërthimit i dhunës kohëve të fundit në veri të Mitrovicës, tregon jostabilitetin e ngecjes aktuale në veri. Zyrtarët europianë do të preferonin të mos e kishin një konflikt të ngrirë të vazhdueshëm. Fuqia e diplomacisë, politikës dhe politikave ekonomike të tyre, për disa dekada të kaluara ka qenë në kapërcimin e ndarjeve kombëtare dhe etnike, kurse ata besojnë se në këtë proces kanë marrë mësime të rëndësishme, të cilat konvertohen në taktika të suksesshme diplomatike. Uashingtoni është i interesuar, por edhe ai i frikohet rrezikut dhe destabilizimit. Diskutimet për ndarjen e Veriut të Kosovës krijojnë një atmosferë për mundësinë e hakmarrjes së kosovarëve të zemëruar ndaj serbëve që jetojnë në zonat tjera të Kosovës. Ato po ashtu mund ta nxisin komunitetin e tendosur shqiptar në Maqedoni për t’ia kthyer shpinën Shkupit dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë dhe Kosovën, me qëllim të formimit të një shteti të përbashkët shqiptar. Në qoftë se ekziston mundësia për të arritur marrëveshje, atëherë do të kishte kuptim të definoheshin detajet për ta realizuar. Gjithashtu, është e logjikshme të thuhet se një konflikt i ngrirë është më i mirë sesa rrezikimi i përsëritjes së dhunës dhe shpërbërjes së Maqedonisë, nëse nxitohet të hyhet në negociata me supozime optimiste të cilat mund të mos japin fryte. Aleatët duhet t’i zgjidhin mospajtimet e tyre dhe të arrijnë një mirëkuptim për atë që do të përbënte një rezultat stabilizues para insistimit në negociata substanciale në mes të dy palëve. Dimensioni Rajonal Hapi i tyre i parë do të duhej të ishte shqyrtimi i situatës rajonale dhe ndikimi i negociatave, duke filluar me Prishtinën. Kosova është e gjallërishme dhe sipërmarrëse, por politikisht është rrëmujë. Ajo aspiron të jetë shtet i pavarur me orientim perëndimor, por Qeveria e saj dyshohet për korrupsion dhe në masë të madhe e ka harxhuar pozicionin e saj moral, si në popull ashtu edhe në Perëndim. Sundimi i vazhdueshëm ndërkombëtar më së shumti ka dështuar në krijimin e institucioneve të një shteti modern demokratik dhe ka vendosur standarde të ulëta në parandalimin e korrupsionit. Kosova duhet të çlirohet nga mentaliteti i varësisë që është nxitur nga më shumë se një dekadë e dominimit perëndimor, por edhe më tej duhet të ketë qasje në ndihmën perëndimore dhe këshillimet në shumë sektorë. Liderët e Kosovës, pa marrë parasysh mospajtimet e tyre të mëdha të brendshme, mund të bashkohen kur është në pyetje raporti me Serbinë. Nuk janë entuziastë për negociatat, por duan që çfarëdo negociatash të përfundojnë me Kosovën si shtet i pavarur dhe me rajonin verior të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesë të veten. Ata kanë frikë se Perëndimi, në padurim për të arritur deri te zgjidhja, do të pranojë negociata të tejzgjatura që në fund do të rezultojnë me dobësimin e mbështetjes për synimet e Kosovës. Politikanët kosovarë gjithashtu i frikësohen zemërimit popullor nga ndonjë “kompromis” lidhur me ndarjen aktuale de facto të Veriut, që dominohet nga serbët.

Lexoni vijimin

KOMENTE