English

Sarandë - Bosch: "Kur Njerëzit Shkelin Ligjin, Do Të Kenë Pasoja"

SARANDË, 10 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/ - Ankesat e qytetarëve të Ksamilit, një qytezë rreth 7 km larg Sarandës, drejtuar Zyrës së OSBE-së, pas shembjes një muaj më parë të së paktën 200 objekteve pa leje nga Inspektoriati i Ndërtimit Urbanistik Kombëtarë (INUK), ka sjellë sot në Sarandë, kreun e kësaj organizate në Shqipëri, Robert Bosch. Pasi ka vëzhguar në terren objektet e shembura në Ksamil, Robert Bosch tha se "kur njerëzit shkelin rregullat e nuk zbatojnë ligjin, sigurisht do të kenë pasoja", duke nënkuptuar se parimi kryesor i organizatës është zbatimi i shtetit ligjor. Gjatë bashkëbisedimit me nënprefektin e Sarandës, Gjergji Mano, zoti Bosch, është interesuar edhe për impaktin e investimit të kryer nga OSBE-ja në jug të vendit, si për adresarin e qytetit dhe për projektin e regjistrimit të pronave në zonën e bregdetit. Sipas tij, projekti i regjistrimit të pronave të bregdetit do të nisë në muajin shtator, financim i Bashkimi Europian. "Ky projekt ka si qëllim kryesor të përcaktojë kush është pronari i pasurive të këtij vendi, pasi pas kësaj do të jetë më e thjeshtë mënyra si do të përdoren këto pasuri", pohoi Bosch. /s.s/
KOMENTE