English

Kosovë - Kuvendi Nesër Dy Seanca, Për Fjalimin Vjetor Të Presidentit Dhe Për Pesë Ligje

PRISHTINË, 11 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së henë do mbajë dy seanca plenare, të parën për fjalimin vjetor të Presidentit të Republikës, ndërsa të dytën për pesë projektligje të rëndësishme. Ky do të jetë fjalimi i tretë vjetor i Presidentit Fatmir Sejdiu pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 69 shtete anëtare të OKB-së dhe të anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar e në Bankën Botërore. Ne seancën e dytë të Kuvendit, brenda ditës së nesërme, ndër pesë projektligjet në shqyrtim, do të jetë edhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010. Ky ligj është miratuar në parim pas shqyrtimit të parë në seancën planare të Kuvendit më 5 korrik, kur nga Qeveria e Kosovës janë prezantuar një varg i projekteve shtesë të investimeve kapitale, si financimi i autostradës Morinë-Merdare prej 130 milionë euro për këtë vit./s.s./
KOMENTE