English

Lsi, Program Me Objektiva Të Qarta Për Zhvillimin E Shtresave Në Nevojë

-Deklaron Filloreta Kodra nën kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI)- TIRANE, 11 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Nën kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Filloreta Kodra, deklaroi sot se "LSI ka patur një program social me objektiva të përcaktuara qartë sidomos në mbrojtjen dhe zhvillimin e shtresave në nevojë, duke filluar nga fëmijët deri tek mosha e tretë". Në një konferencë për shtyp, Kodra theksoi se "koalicioni PD-LSI bëri të mundur që shumë prej synimeve sociale të programit të LSI-së, të jenë tashmë pjesë e programit qeverisës. Sipas saj , për të gjitha këto është bërë punë konkrete, nga të cilat disa prej tyre kanë nisur të zbatohen ndërsa të tjera janë në rrugën e zgjidhjes. "Mbrojtja e të drejtave te fëmijëve", tha nënkrytarja Kodra, "tashmë realizohet nga struktura të veçanta institucionale përvec ministrisë së punës". "Ndërkohë miratimi i Projektligjit "Kuadër për të Drejtat e Fëmijëve", ka bërë të mundur një punë sistematike për zhvillimin e fëmijeve dhe sidomos për eliminimin e punës së femijëve në Shqipëri", cilësoi ajo. Duke u ndalur në mbështetjen ndaj grave dhe krijimin e mundësive për punësim e tyre, Kodra nënvizoi, se kjo ka qënë një nga prioritetet e programit të LSI. "Tashmë ka filluar puna për hartimin e akteve ligjore për nxitjen e biznseve të grave dhe punësimin e tyre"-deklaroi ajo, duke shtuar se, me përparësi po punohet për të luftuar dhunën në familje. Për këtë qëllim është ngritur qendra e parë publike kombëtare për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, vuri në dukje Kodra. Sipas saj, politikat e LSI-së, po i kushtojnë vëmendje edhe grupit të personave me aftësi të kufizuara. "Miratimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave për Konventen e OKB për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar", i hapi rrugën nënshkrimit të konventës së OKB , ratifikimi i së cilës nga parlamenti shqiptar, pritet nga fillimi i vitit 2011 do të përmirësojë kushtet e gjithanëshme dhe integrimin e kësaj kategorie në shoqërinë shqiptare"-tha Kodra. Kodra theksoi se, ka filluar puna edhe për rishikimin e Ndihmës Ekonomike për ta adresuar më mirë drejt shtresave në nevojë dhe për të rritur efikasitetin e këtij instrumenti kundër varfërisë. Ndërkohë ajo bëri me dije planin e veprimit të miratuar nga qeveria, për mbështetjen e komunitetit rom, duke i kushtuar rëndësi forcimit të bashkepunimit ndërmjet pushtetit vendor dhe komunitetit rom, rritjes së numrit të fëmijëve romë në kopshte dhe në shkolla, rritjes së kujdesit për shëndetin e fëmijëve romë. /f.n/
KOMENTE