English

Berisha: Shkurtuam Shpenzimet Buxhetore Për Të Mos Lejuar Rritjen E Borxhit Publik

TIRANË, 12 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se "shkurtimi i shpenzimeve buxhetore u bë që të mos lejohej rritje e mëtejshme e borxhit publik". Kryeministri Berisha theksoi se "këto shkurtime bëhen para së gjithash për t'i dhënë një mbrojtje financiare sektorit privat, i cili do të dëmtohej nga rritja e borxhit publik". "Shkurtimi i shpenzimeve u bë që në kohën e një krize botërore të borxheve, Shqipëria të mos lejojë rritje të mëtejshme të borxhit. Por ju garantoj se ky vendim merret jashtë çdo lloj problematike, që krahason Shqipërinë me vende të tjera, siç u përpoqën ta paraqesin eksponentë të caktuar të opozitës, që në mënyrë mjerane kanë dy vjet që u fryjnë borive të krizës imagjinare", tha Berisha. Por sipas tij, kjo nuk do të thotë se në problematikën tërësore të euros, qeveria shqiptare të qëndrojë indiferente. "Ne përzgjodhëm që të rrisim rrogat dhe pensionet si përparësi madhore e politikës sonë dhe e fytyrës sociale të kësaj qeverisje, ndërkohë që shkurtuam në mënyrë të ndjeshme shpenzimet që është e mundur të shkurtohen", vijoi ai. Duke theksuar se shkurtimeT bëhen para së gjithash për ti dhënë mbrojtje financiare sektorit privat, Berisha tha se "rritja e borxhit publik do ta dëmtonte këtë sektor në raport me financimet dhe qëndrimin e institucioneve financiare bankare ndaj tij". "Borxhi do të përdorej si pretekst për të rritur interesat e kreditimit të sektorit privat, çka ne nuk kemi asnjë interes, përkundrazi, besojmë se fuqizimi i këtij sektori është kusht përcaktues për rritje ekonomike dhe qëndresë ndaj krizës të ekonomisë shqiptare. Askush nuk do të shkurtojë shpenzimet, por kjo është një domosdoshmëri në mënyrë që sektorit privat ti hapen hapësira më të mëdha", tha Berisha. Duke bërë një paraqitje të situatës ekonomike që po kalon vendi në 6-mujorin e parë të vitit, Kreu i Qeverisë tha se "ka një rritje prej 27 për qind të investimeve direkte, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar". "Bizneset e reja të regjistruara këto 6 muaj janë 40 për qind më shumë se 6-mujori i vitit të kaluar, pra kemi mbi 10 mijë biznese të reja të regjistruara, janë dhjetra mijëra vende pune të reja dhe miliona lekë investime të reja. Trendi është qartësisht pozitiv dhe ka një rritje me 7 për qind të kreditimit të ekonomisë nga bankat", tha Berisha. Kreu i Qeverisë theksoi se "rritja ekonomike në periudhën më të vështirë, në tremujorin e parë të këtij viti, është mbi 2 për qind". "Përpjekja jonë për të mos lejuar rritjen e borxhit është një qëndrim i përshtatshëm në përputhje me situatën e euro-s", tha ai. Kryeministri Berisha u ndal edhe te rritja nga 4.5 deri në 11-12 për qind e rrogave dhe pensioneve, duke shtuar se "politika e qeverisë ka si qëllim madhor investimin në administratën publike dhe rritjen e pensioneve". "Në vitin 2005 pensionistët merrnin gjithsej 36 mijë lekë në muaj, ndërsa ne i kemi dyfishuar ato", tha Berisha, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e opozitës mbi rritjen e pensioneve./n.m/
KOMENTE