English

Dhuna Në Familje, Nevojitet Bashkëpunim Mes Strukturave

TIRANË, 12 Korrik/ATSH/. - Fenomeni i dhunës në familje vazhdon të jetë një çështje problematike. Në një takim kombëtar të zhvilluar sot për zbatimin e masave ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, strukturat përkatese kanë tërhequr vëmendjen për një bashkëpunim edhe më të madh midis të gjithë aktorëve të interesit për të luftuar këtë fenomen. Sipas zv/ministres së Punës, Filloreta Kodra, ky problem shqetesues i ka bazat dhe tek vetë shoqëria shqiptare. "31 % e grave dhe 36 % e burrave, siç del edhe nga një studim i bërë kohët e fundit, e konsiderojnë dhunën në familje si një fenomen, i cili e ka një arsye, e ka një bazë", tha Kodra. Parandalimi i dhunës me bazë gjinore, mbrojtja dhe ndihma që i duhet dhënë viktimave, është një përgjegjësi kryesore e strukturave përkatese. Gjatë muajit të kaluar, u tha në këtë takim, u trajnuan rreth 800 punonjës të personelit shëndetësor për dhënien e ndihmës viktimave të dhunës gjinore, ndërkohë që deri në fund të 2010 parashikohen të trajohen mbi 1000 të tjerë. Ministri i Shendetësisë, Petrit Vasili, duke folur për këtë fenomen, theksoi se dhuna gjinore është një nga problemet shumë sensitive, delikate, e cila ka përbërë një ngarkesë të papëlqyeshme për shoqërinë shqiptare dhe kjo dukuri duhet përballur me angazhim tët të gjithëve. Në këtë takim, u shpërndanë çertifikatat për personelin shëndetësor, i cili ka marrë pjesë në programin e trajnimit mbi "Parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe referimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore". Ky program trajnimi është certifikuar nga Qendra Kombëtare për Edukimin e Vazhdueshëm dhe po zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me UNFPA-në dhe Qendrën Kombëtare për Studime Sociale./e.gj/s.s./
KOMENTE