English

Mbreti pret si mbretër, kampionët e Spanjës

Madrid, 12 Korrik, NOA – Në Mbretërinë e Spanjës, ata sot mund të quhen fare mirë mbretërit e vërtetë të saj.

Fjala është për përfaqësuesit e kombëtares spanjolle, të cilët me Kupën e Botës në dorë, kanë mbërritur në vendin e tyre gjithë lavdi dhe janë pritur si heronj të vërtetë.

Kështu, një pritje mbretërore u ka përkushtuar atyre mbreti spanjoll, Huan Karlos, në pallatin e tij, ku e gjithë familja ka nderuar ata që i ka quajtur si lavdia e Spanjës.

"Ju jeni një shembull i korrektësisë dhe fisnikërisë së një ekipi”, ka thënë në fjalën e tij mbreti Karlos, ndërsa ka përshëndetur për fitoren e Kupës së Botës, djemtë e përfaqësueses kombëtare spanjolle.

“Viva Espana”, kanë thirrur së bashku të gjithë në fund, duke përmbyllur kështu një takim mjaft emocionues, siç do të ishte më pas edhe ai i zhvilluar me kryeministrin e vendit, Zapatero.

Pasi i ka lavdëruar për fitoren, ai ka kërkuar prej djemve të Kombëtares që kjo fitore të mbahet fort në duart e tyre, duke synuar trofe të tjerë në të ardhmen.

n.e/NOA

KOMENTE