English

Prioriteti Më I Lartë I Presidencës Belge, Zgjerimi I Be-Së

TIRANE, 12 Korrik/ ATSH- A.Gegvataj/. - Ambasadori i Belgjikës në vendin tonë, me seli në Sofje, Marc Mishelsen, pas takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, prezantoi sot në një konferencë për shtyp, 5 prioritetet e presidencës belge të Bashkimit Europian në 6 muajt e ardhshëm. Sipas tij, 5 prioritet e presidencës belge të BE-së këtë 6 mujor do të jenë dimensioni ekonomik, social, ekologjia, drejtësia dhe çështjet e brëndshme si dhe zgjerimi i BE-së Duke u ndalur në prioritetin ekonomik, Ambasadori Mishelsen deklaroi se "në BE na duhet që të përballemi me krizën buxhetore e për këtë do të punojmë më shumë me tregjet financiare, por duke rritur edhe stabilitetin buxhetor në BE". Ndërsa prioriteti i dytë, që do të ndjekë presidenca belge gjatë këtij 6 -mujori, është ajo që quhet "Strategjia 20/20", e cila ka për synim që ta përgatisë BE për të ardhmen, "një të ardhme në të cilën BE apo aspekti i saj ekonomik do të jetë konkurues dhe do të ketë një nivel të lartë punësimi për qytetarët e BE-së", tha ai. Ambasadori belg bëri të ditur se gjatë muajve të ardhshëm presidenca belge do të ndërmarrë disa nisma legjislative në fushën sociale për realizimin e këtij prioriteti. Ai theksoi se iniciativa legjislative do të ndërmerren edhe për realizmin e prioritetit të tretë, atë të mbrojtjes së mjedisit, për të ulur nivelet e dioksidit të karbonit si dhe për të punuar drejt përmirësimit të klimës. Ndërsa duke u ndalur në prioritetin në fushën e drejtësisë, Ambasadori belg nënvizoi se "sipas programit të Stokholmit, do të ndërmarim një sërë iniciativash në mënyrë që të luftojmë terrorizmin, krimin e organizuar dhe trajtimin e çështjeve të tjera, si azili dhe emigracioni". Përsa i përket çështjes së zgjerimit, si prioriteti i 5 për nga renditja, por jo i fundit për nga rëndësia për presidencën belge, Ambasadori Mishelsen nënvizoi se " ky është një prioritet tepër i lartë për ne". "Zgjerimi është një proces që kalon në faza të ndryshme, dhe jo të gjitha vëndet janë në të njëjtën fazë", tha ai. Duke pohuar se procesi i zgjerimit bazohet në meritat e çdo vëndi, Ambasadori belg tha se" nëse do të ketë avancime ne do ta marrim atë shans që do të na jepet dhe do t'ia kalojmë KE-së per të marrë vendime të tjera dhe çështjet të përparojnë më tej". Ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës, Marc Mishelsen, përfundoi duke nënvizuar se "kjo, veçanërisht ka të bëjë me vëndet e Ballkanit Perendimor, pasi ky rajon ka një perspektivë të qartë në BE"./s.s./
KOMENTE