English

Shqipëria, Vendi Më Tërheqës Në Rajon Për Investime

- Kryeministri Berisha takon përfaqësues të kompanisë së njohur gjermane, BOSCH - TIRANË, 13 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- "Shqipëria është vendi më tërheqës në rajon për investime dhe këtë e dëshmon prezenca e kompanive të suksesshme gjermane", tha sot përfaqësuesi i kompanisë gjermane BOSCH, Heinrich-Herman Schulte gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në një takim një grup të kompanisë të njohur gjermane BOSCH, të kryesuar nga Heinrich-Herman Schulte, i cili vlerësoi progresin e arritur nga ekonomia shqiptare. "Nga qëndrimi ynë i shkurtër këtu, jemi të impresionuar për ecurinë dhe ritmet e shpejta të zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Është pikërisht ky progres i ekonomisë shqiptare dhe stabiliteti i saj, që tërhoqi vëmendjen e kompanisë sonë për t'u shtrirë me investime ne Shqipëri", tha Schulte. Ai theksoi se qëllimi i vizitës është konkretizimi i projekteve në fushën e energjisë së erës, ngrohje dhe në prodhim fotovoltaikësh. Ndërsa Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të mbështesë fuqimisht projektet e tyre, për t'i kthyer ato në histori suksesi. Kryeministri u shpreh se sektorët e përcaktuar si prioritarë nga kompania BOSCH janë gjithashtu sektorë prioritare edhe për qeverinë shqiptare. Berisha tha se klima e biznesit e realizuar në sajë të reformave të qeverisë ka bërë që ritmi i rritjes së investimeve të huaja në Shqipëri edhe në kohë krize të jetë i lartë. "Për ne është vërtetë shpërblyes interesi dhe qëllimet e kompanive të mëdha si BOSCH për të investuar në Shqipëri", u shpreh Kryeministri./m.m//a.ke/
KOMENTE