English

Ekspertët E Ke-Së Vijojnë Monitorimin Për Realizimin E Tre Kritereve

TIRANE, 14 Korrik/ ATSH, A.Gegvataj/ - Pas përfundimit të monitorimit për hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për plotësimin e tre kushteve të përcaktuara për liberalizimin e vizave, eksperët e KE-së do të mbajnë një konferencë për shtyp. Kjo u konfirmua sot për ATSH nga burime të zyrës së shtypit të KE-së në Tiranë, të cilat nuk bëjnë të ditur zyrtarisht axhendën e aktiviteteve të tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri. Ekspertët e Brukselit të mbërritur dy ditë më parë në Tiranë, po inspektojnë në instititucionet kryesore për plotësimin e tre kritereve shtesë në lidhje me zbatimin e strategjisë për riintegrimin e të riatdhesuarve, përmirësimin e kapaciteteve në luftë kundër krimit dhe korrupsionit si dhe për zbatimin e ligjit për konfiskimin e aseteve kriminale. Ndërkaq zyra e shtypit në ministrinë e Brendshme bëri të ditur se ekspertët do të zhvillojnë sot një takim me ministrin e Brendshmë Lulezim Basha. Pritet që monitorimi i tyre të vijojë edhe në organin qëndror të akuzës dhe në njësi të tjera të task-forcës kundër krimit të organizuar. Pas vlerësimit të ekspertëve europianë për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptarë për plotësimin e tre kritereve shtesë, ata do të paraqesin konkluzionet e tyre në KE. Në vjeshtën e sivjetme do të jenë Këshilli i Ministrave dhe më pas Parlamenti në BE që do të marrin një vendim përfundimtar për liberalizmin e vizave./n.m/
KOMENTE