English

Sondazh - Rreth 62 Për Qind E Japonezëve Mbështet Qëndrimin E Kan Në Postin E Kryeministrit

TOKIO, 14 korrik /ATSH-AFP/ - Një pjesë e madhe e japonezëve kërkojnë që kryeministri Naoto Kan të qëndrojë në postin e tij, pavarësisht rënies së konsiderueshme të popullaritetit të tij pas humbjes elektorale të partisë së tij në zgjedhjet senatoriale të së dielës, sipas rezultateve të dy sondazheve të publikuara sot. Këto sondazhe tregojnë po ashtu se rreth dy të tretat e personave të pyetur mbështesin idenë e debatit politik mbi një rritje të taksës të konsumit me qëllim forcimin e financave të ekonomisë së dytë botërore. Propozimet të konsideruara ''të pakujdesshme'' mbi një dyfishim të mundshëm të kësaj takse, aktualisht 5 për qind, fajësohen si shkaku kryesor për humbjen elektorale të Partisë Demokrate të Japonisë (PDJ), qendra e majtë, që e ka bërë atë të humbë kontrollin e Senatit. Sipas të përditshmes konservatore ''Yomiuri Shimbun'', përqindja e popullaritetit të Kan dhe kabinetit të tij qeveritar ka rënë në 38 për qind, kundrejt më tepër se 60 për qind që rezultonte në momentin e emërimit të tij, që ishte vetëm pesë javë më parë. Megjithatë, 62 për qind të personave të pyetur u shprehën se kryeministri duhet të qëndrojë në detyrën e tij. Në një tjetër sondazh të publikuar nga gazeta e qendrës së majtë ''Asahi Shimbun'', flitej për një rezultat edhe më të lartë mbështetje, ku 73 për qind u shprehën në favor të qëndrimit të Kan në postin e kryeministrit, aktualisht i pesti i vendit./ /i.p/
KOMENTE