Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Universitetet- Tafaj: Ndryshimet Në Ligj Synojnë Rritjen E Autonomisë
English

Universitetet- Tafaj: Ndryshimet Në Ligj Synojnë Rritjen E Autonomisë

TIRANË, 14 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/- Ndryshimet në Ligjin Arsimit të Lartë nuk synojnë rritjen e varësisë së universiteteve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. "Drafti i këtij ligji synon rritjen e autonomisë të shoqëruar me llogaridhënie", deklaroi në intervistë me ATSH-në, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Myqerem Tafaj. Duke iu referuar debateve se ndryshimet në Ligjin ekzistues të Arsimit të Lartë, të miratuara nga Qeveria, cënojnë autonominë e universiteteve, Tafaj theksoi se, "nuk njoh asnjë ndryshim që shkakton një gjë të tillë. Ndryshimet në ligj kanë qënë pjesë e konsultimeve me drejtues universitetesh, ato janë bërë prezente. Drafi është në komision parlamentar, ku do të ketë diskutime. Nuk ka asnjë qëllim që ne të rrisim varësinë e universiteteve. Edhe në drejtimet e studimeve po bëjmë një decentralizm. Qeveria miraton shkollat e larta, MASH miraton programet e reja të studimit, për çdo ndryshim që ndodh në planin mësimor brenda një programi të miratruar, është kompetencë e universitetit". Sipas tij, ndryshimet në ligjin do të sjellin risi të tjera në funksion vetëm të thellimit të reformave në arsimin e lartë. Ministri i komenton ndryshimet e projektligjit, së pari në strukturë. "Struktura e re konsolidon të tri ciklet e studimeve me disa përmirësime. Diploma e Nivelit të Parë do të quhet "Bachelor", si në shumë vende të tjera evropiane dhe mbetet përsëri tre vjet me 180 kredite", tha ai. Sipas Tafaj, ka pasur propozime për ta zgjatur diplomën e nivelit të parë në 4 vjet. "Por në diskutime u sollën mjaft argumente bindëse për ta ruajtur strukturën me 3 vjet dhe një diplomë me emërtim internacional, Bachelor". Duke shtjelluar draftin e ri të ligjit, Tafaj u ndal në katër grupet kryesore të ndryshimeve në ligj: skema e studimeve, decentralizimi i vendimmarrjes, departamentet, politikat e personelit, menaxhimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe të bashkëpunimit midis autoriteteve dhe organeve kolegjiale. Risitë në këtë system arsimor nisin me maturantët e vitit të ardhshëm, që do të pajisen me "Diplomë të Maturës Shtetërore". Në maturën e vitit 2011, siç është përcaktuar në ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, do të lëshohet "Diplomë të Maturës Shtetërore". Sipas ministrit, në maturën e vitit 2012 kjo diplomë do përmbajë jo më 4 provime si deri tani, por 5 provime. "Provimi i 5-të do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze, ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale", thotë ai. Duke shpjeguar ndryshimet kryesore që i janë bërë ligjit ekzistues të arsimit të lartë, Tafaj tha se "ne synojmë një pikënisje të barabartë me çdo vend tjetër evropian, pra një maturë me standarde. Në këtë mënyrë, studentët që në ditën e parë të pranimit në shkollën e lartë do të jenë krejtësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Evropës". Bachelori me kohëzgjatje tre vite akademike është forma më frekuente që zbatohet në shumicën e vendeve që kanë aderuar në Procesin e Bolonjës dhe mund të jetë i dy tipeve: një Bachelor i orientuar ngushtësisht me një profesion, veçanërisht për shkencat teknike. Në shumë fusha ekzistojnë mundësi të plota që të zhvillohet një Bachelor i orientuar ngushtësisht në një profesion me shanse shumë të mëdha për t'u thithur nga tregu i punës. Ekziston një grup tjetër i fushave të shkencës, ku integrimi në tregun e punës me një diplomë Bachelor, nuk është kaq i lehtë. "Për këtë qëllim, universitetet duhet të zhvillojnë një Bachelor, i cili ka një bazë shumë më të gjerë teorike dhe ju krijon mundësi studentëve që në ciklin e dytë të studimeve, të kenë mundësi të zgjedhin jo një Master në atë fushë ku kanë kryer Bachelorin, por të paktën në 5-6 apo 10 fusha të afërta", vijoi Tafaj. Ai thekson se zhvillimi i një Bachelori të orientuar ngushtësisht në një profesion, kërkon bashkëpunimin e universiteteve me tregun e punës dhe sektorin privat. Në Ciklin e Dytë të Studimeve, ndryshimi lidhet me përdorimin e emërtimit Master. "Por jo më Master i Nivelit të Parë, por thjesht "Master" dhe në vend të "Diplomë e Nivelit të Dytë", të jetë "Master i Shkencave". Në këtë cikël kemi dhe ndryshimin e dytë thelbësor dhe cilësor. Të gjithë studentët që do të vazhdojnë Masterin Shkencor ose atë profesional, do të japin provimin e gjuhës angleze përpara mbrojtjes së tezës, ose provimit përfundimtar me një test internacional", shpjegon Tafaj. Ndërsa Diploma e Nivelit të Dytë do të quhet Master i Shkencave. Ligji e përcakton që ky master është një program studimi i orientuar në kërkim, i drejtohet kryesisht grupit të studentëve që janë të interesuar të vazhdojnë edhe studimet e doktoratës. Masteri i Shkencave zgjat 2 vjet dhe mbyllet me një projekt kërkimor dhe tezë të shkruar, ku 30-40 kredite, nga 120 kredite gjithsej, do të shfrytëzohen për kërkim shkencor dhe për të shkruar tezën e tij. Kjo tezë do të mbrohet përpara një komisioni, pasi është dhënë provimi i gjuhës angleze. Masteri i Shkencave është diploma që të çon në studimet e doktoratës. Krahas Masterit të Shkencave është edhe diploma Master, që përfshin studime universitare të ciklit të dytë, të orientuara në një drejtim profesional. Kjo diplomë, sipas ministrit, "realizohet për një vit e gjysmë dhe përmban 90 kredite. Edhe në këtë Master studentët do të japin provimin e gjuhës angleze". Në shkenca të tilla si Mjekësia dhe Arkitektura, do të vazhdojnë studimet e integruara të ciklit të dytë që zgjasin 5 vjet dhe kanë së paku 300 kredite dhe që përfundojnë me diplomën Master i Shkencave, ku kushti i studimit të gjuhës angleze është i njejtë. Tafaj shpjegoi se në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve nuk figuron Masteri i Nivelit të Dytë. Ai është hequr për shkak se nuk kishte ekuivalent të tij as në vendet e tjera, pasi ishte një diplomë që zgjaste vetëm një vit me 60 kredite dhe nuk përcaktonte qartë nëse ishte orientuar në shkencë apo në drejtim profesional. "Si e tillë, ishte e vështirë të njihej dhe nga shkollat e huaja, ndaj u vendos që të hiqet. Në doktoratë do të shkohet vetëm nëpërmjet Masterit të Shkencave ose diplomave ekuivalente me të, që vijnë nga vendet e tjera nga studimet e integruara të ciklit të dytë", tha Tafaj. Ai thekson se kreditet e Masterit që zgjat 1.5 vjet, mund të transferohen për studimet "Master i Shkencave" dhe kjo është kompetencë e universitetit që përcakton se cilat module dhe sa kredite janë të transferueshme. Ndryshimet që ndodhin në studimet e doktoratës lidhen me faktin që pas vitit të parë të studimeve teorike, kandidatët kalojnë në një provim të përgjithshëm teorik, të organizuar nga universiteti, që ka kompetencë të plotë të vendosë kritere për kalimin në fazën e dytë të zhvillimit të projektit kërkimor./n.m/ (Vijon)
KOMENTE