English

Durrës: "Ditët E Turizmit", Veprimtaritë Nisin Me Traditën E Mikpritjes

DURRËS, 15 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Veprimtaria 4-ditore Ditët e turizmit, që u hap mbrëmjen e kaluar në Durrës, ka tërhequr vëmendjen e qindra vizitorëve, jo vetëm banorë të qytetit, por edhe të vizitorëve të shumtë që kanë ardhur këto ditë për të kaluar pushimet. Mbi 25 stenda me punime tradicionale nga artizanë profesionistë dhe amatorë janë ekspozuar në hollin dhe mjediset pranë pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu" në qendër të qytetit bregdetar. Një hapësirë të veçantë zunë gatimet dhe pjatat tradicionale të përgatitura nga amvisat qytetare, ndërsa nuk munguan qëndismat dhe thurrjet me grep, mjaft të njohura deri në fundin e viteve 1980 në ritualin e përgatitjes së nuseve. Mjaft interesim ngjallën te shikuesit e huaj stendat me kostumet popullore të Shqipërisë së Mesme, të cilat janë ruajtur me kujdes ndër vite nga nënat durrsake. Punimet artizanale të zanatçinjve të pazarit karakteristik të Krujës ishin ndër më të kërkuarat në panairin e vogël që shërbeu si start i veprimtarive 4-ditore, që janë organizuar nën kujdesin e bashkisë së qytetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Deri të shtunën në salla dhe mjedise të ndryshme të hapura të qytetit antik do të organizohen një sërë veprimtarish si tryeza mbi të ardhmen e turizmit dhe rolin e mediave, koncerte të këngës dhe valles popullore, etj./s.s./
KOMENTE