Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
E vërteta dhe fasada në ekonominë shqiptare
English

E vërteta dhe fasada në ekonominë shqiptare

Berlin, 15 Korrik - Gazeta "Neue Zürcher Zeitung": Shteti ballkanik ia dedikon rezistencën e deritanishme ndaj krizës para së gjithash izolimit të tij ekonomik

Është e vërtetë që ekonomia shqiptare deri tani e ka shpëtuar mjaft mirë veten nga kriza ekonomike globale. Por këtë rezistencë ndaj krizës vendi ballkanik e gëzon falë integrimit të ulët të tij në tregjet botërore.

Nga Thomas Fuster, Tiranë

Në pamje të parë Shqipëria duket se shumë gjëra i ka bërë si duhet. Kështu shteti ballkanik bën pjesë në ato pak vende, të cilat gjatë vitit 2009 megjithë krizën financiare shënuan rritje ekonomike, e madje në rastin e Shqipërisë në nivelin e kënaqshëm prej 3,3%. Por një vështrim i dytë bën të qartë se ky kontribut i veçantë ka nevojë për një relativizim. Së pari, ekonomia kombëtare edhe dy dekada pas kolapsit të rendit të vjetër komunist vazhdon të jetë shumë e izoluar, dhe kush nuk eskporton thuajse asgjë, nuk ka tregje eskportesh për të humbur. Së dyti, rritja ekonomike e vitit të kaluar i dedikohet krahas të ardhurave (të papërsëritshme) nga privatizimet, edhe programeve bujare të shpenzimeve publike, me të cilat kryeministri Sali Berisha u përpoq të ngrinte moralin e zgjedhësve para zgjedhjeve parlamentare, verën e kaluar.

Shok në vuajtje me Greqinë

Megjithë ndërthurjen e dobët me tregjet botërore, kriza ekonomike nuk kaloi pa lënë gjurmë edhe në Shqipëri. Me vragën nga përvojat traumatike të vitit 1997 të shëmbjes së piramidave të fajdeve, të cilat zhdukën brenda natës kursimet e një pjese të madhe të popullsisë, pa përvojë në çështjet e parave, dhe që patën si pasojë zhytjen e Shqipërisë për një kohë të shkurtër në anarki, njerëzit reaguan fillimisht me mjaft nervozitet ndaj dështimeve financiare mbarëbotërore. Në fund të 2008-s sistemi bankar vendas u konfrontua madje me një bank-run të vogël (tërheqje në masë të depozitave të klientëve). Por përmes forcimit të mbrojtjes së depozituesve dhe një politike të peshuar monetare, situata u përmirësua shpejt, dhe sektori financiar në Shqipëri ka sot një bazament mjaft solid.

Më shumë shqetësim u krijon ekonomistëve ulja e fluksit të parave nga jashtë. Këto të ashtuquajtura remitanca gjatë vitit 2009 shënuan nivelin më të ulët që prej pesë vjetësh. Me zyrtarisht 781 milionë euro ato përbëjnë ende 9% të produktit të brendshëm bruto. Por në vitin 2007 transfertat nga emigrantët ishin në nivelin 951 milionë euro. Një përmirësim i shpejtë nuk ka të ngjarë të ndodhë. Kjo edhe sepse shumë emigrantë në Greqinë fqinje të tronditur nga kriza, luftojnë tani për mbijetesën e tyre ekonomike. Emigrantët shqiptarë në Greqi vlerësohen në 800.000 vetë dhe përbëjnë atje grupin më të madh të punëmarrësve të huaj. Jo pak prej tyre druhen për humbjen e punës ose kanë mbetur tashmë të papunë.

“Paratë nga Greqia kanë rëndësi jetike për ekonominë e Shqipërisë”, thotë Adrian Civici, profesor ekonomie dhe rektor i Universitetit Evropian të Tiranës. Nëse një numër i madh i këtyre emigrantëve do ta ndiejnë veten të shtrënguar të kthehen në masë në atdhe, mund të lindin probleme sociale. Edhe në Shqipërinë me 3,2 milionë banorë vendet e punës janë të pakta. Vërtet kuota e papunësisë zyrtarisht është në nivelin 14%, dhe pra jo shumë e lartë në krahasim me mesataren e rajonit. Por kjo kuotë nuk ka forcë domethënëse pasi popullsia rurale nuk përfshihet në statistikat e papunësisë. Kjo pasi qeveria mendon se njerëzit në fshat arrijnë disi të mbijetojnë me ekonominë bujqësore.

Problemi i pazgjidhur i tokës

Pikërisht kjo bujqësi pasqyron një të keqe thelbësore të ekonomisë vendase: mungesën e aftësisë konkurruese. Megjithëse sektori agrar përbën bazën ekonomike për rreth 50% të popullsisë, më shumë se 40% e produkteve agrare importohen. Sektori agrar kufizohet në pjesën më të madhe në ekonomi të ashtuquajtura “subsistence”, pra ku fshatarët prodhojnë sa për të furnizuar me ushqime familjet e tyre. Për shitje ose eksport nuk mungojnë vetëm mundësitë e marketingut. Në krahasim me fqinjët e huaj si p.sh. Greqinë apo Italinë të cilat përfitojnë subvencione bujare nga BE-ja, prodhuesit vendas në Shqipëri, të cilët nuk marrin asnjë mbështetje shtetërore, nuk janë në gjendje të konkurrojnë edhe sa i takon produktivitetit.

Një arsye e rëndësishme për mjerimin e bujqësisë është parcelizimi i ekstrem i sipërfaqeve të gjelbra. Çdo fermeri i takojnë mesatarisht vetëm 2,1 hektarë tokë e shfrytëzueshme; në shumë raste bujqit madje kanë vetëm 0,2 deri 0,4 hektarë. Një nga shkaqet për këtë duhet kërkuar në fillimet e viteve 1990, kur në kuadër të reformës agrare u shpërbënë kooperativat bujqësore dhe toka bujqësore iu shpërnda falas ish anëtarëve të kooperativave. Pasojë e kësaj politike është një copëzim i fortë i truallit, që bën thuajse të pamundur një administrim agrar eficient. Një tjetër e metë është që për shumë copëza trualli, kryesisht në afërsi të qyteteve dhe në rajonet me potencial turistik, ekziston ende një pasiguri e madhe ligjore mbi raportet e pronësisë.

Për investuesit potencialë çështjet e pazgjidhura të pronësisë e bëjnë natyrisht pak tërheqës vendin. Për ish- këshilltarin ekonomik të kryeministrit Berisha, Neritan Sejamini, konflikti i vazhdueshëm për të drejtat mbi truallin janë një arsye qendrore përse gjatë transformimit post-komunist nuk është ngritur thuajse asnjë industri e re. Askush nuk rrezikon duke bërë investime të shtrenjta në një truall, nëse vazhdimisht druan se papritur njerëz të panjohur mund të ngrenë pretendime për atë truall. Një këngë për këtë problem mund të këndonte operatori francez i fshatrave turistikë „Club Med“: vite me radhë luftoi ai për një projekt rreth 75 milionë euro, për ndërtimin e një fshati turistik në bregdetin jugor të Shqipërisë. I përballur me paditë e jo më pak se 129 familjeve, të cilat të gjitha pretendonin të drejta mbi tokën, investuesi hoqi dorë i lodhur para afatit nga plani.

Në pritje të kërkuesve të arit

Në Shqipëri sundimi i ligjit qëndron mbi këmbë të dobëta. Lidhjet personale dhe privilegjimi i klanit përkatës kanë shpesh më shumë rëndësi sesa detyrimi kundrejt ligjeve dhe rregullave. Një diplomat perëndimor bën fjalë për drejtim të shtetit me persona dhe jo institucional. Kur vjen në pushtet një kryetar i ri bashkie, thotë, fillimisht ai ndërron krejt personelin, dhe këtë e bën deri në rangjet më të ulta. Në kushte të tilla nuk mund të bëhet fjalë për vazhdimësi në udhëheqjen e shtetit. Por për këtë arsye investuesit, edhe organizatat e zhvillimit, nuk mund asnjëherë të jenë të sigurta që marrëveshja e arritur me kryetarin e mëparshëm të bashkisë do të ketë vlerë edhe kundrejt mbajtësit të ri të postit.

Pa dyshim: Ekonomia e dytë më e varfër në Evropë (pas Moldavisë) pengohet shpesh nga vetvetja gjatë zhvillimit. Megjithatë, në demokracinë ende të re në vazhdën e procesit të transformimit janë zbatuar edhe shumë reforma me anë të të cilave synohet të largohet trashëgimia e ekonomisë së centralizuar për dekada me radhë dhe të krijohen kushtet për një klimë ekonomike liberale: Ndërmarrje shtetërore të panumërta u privatizuan; një taksë e sheshtë prej 10% siguro një ngarkesë fiskale të pashembullt të butë në Evropë.; nëpërmjet ngritjes së një one-stop-shop-i u përshpejtua dukshëm procesi i krijimit të firmave; edhe rregullat në tregun e punës, ku Shqipëria zotëron avantazhin demografik të një strukture popullate të re, konsiderohen si jo të ndërlikuara.

Ndonjëherë reformat janë më shumë fasadë sesa të vërteta. Shqipëria vërtet ka futur shumë ligje të mira duke pasur parasysh edhe anëtarësimin e synuar në BE; por përdorimi i tyre lë shpesh për të dëshiruar, mendon Civici. Të kurorëzuara me sukses të pakët ishin edhe nisma të shumta eksporti, me anë të të cilave synohet të ndreqet bilanci tregtar tejet deficitar (eksportet janë vetëm sa një e pesta e importeve). Vendi i pasur me lumenj ka në fakt kushte të favorshme në sektorin e energjisë hidrike. Edhe në industrinë minerare (krom, bakër, nikel) ose në turizëm ka potenciale. Por, për atmosferën e kërkimit të arit, siç konstatohej pas fundit të Luftës së Ftohtë fillimisht në lindje të Evropës Qendrore dhe fill më pas edhe në disa vende të Evropës Juglindore, ende pritet në Shqipëri.

Deutsche Welle

KOMENTE