English

Sport-Futboll/ Tirana, Humbje Me 4 Gola Ndaj Utrehtit

- Portieri Ilion Lika u ndëshkua me karton të kuq - TIRANË, 15 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ . - Tirana duket se i dha fund aventurës në Europa League, pas humbjes 4-0 kundër Utrehtit në Holandë, në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator. Rezistenca e bardhebluve të Sulejman Starovës zgjati vetëm 8 minuta, kur sulmuesi holandez Riki van Volfsvinkel shënoi golin e parë për vendasit. Lojtari 21 vjeçar i Kombëtares B të Holandës shënoi dhe golin e dytë në minutën 27-të, sulmuesi i krahasuar me stilin e lojës së Luis Fabianos, mposhti Ilion Likën. Tri minuta më pas, mesfushori ganez Nana Asare trefishoi rezultatin, duke mbyllur çdo shpresë të Tiranës për një ndeshje të denjë në Holandë, aty ku gati 40 vjet më parë një tjetër formacion bardheblu në vitin 1970 i kishte rezistuar Ajaksit të Amsterdamit (2-0), në fillimet e kulmit të klubit të famshëm holandez. Me pjesën e parë të mbyllur 3-0, Tirana nuk shfaqi më asgjë nga futbolli i treguar ndaj ZTE, duke pësuar edhe golin e katërt në minutën e 75-të nga sulmuesi belg i Utrehtit, Dries Mertens. Dhjetë minuta më pas, portieri Ilion Lika u ndëshkua me karton të kuq, për të plotësuar mbrëmjen tragjike të Tiranës, që nga ana e saj gjuajti vetëm një herë në portë kundrejt 18 të holandezëve. Ndeshja e kthimit pas një jave në "Qemal Stafa" duket se nuk do të ketë shumë histori, pasi Tiranës i duhet të shënojë minimalisht katër gola e të mos pësojë asnjë për të shpresuar të paktën në kohën shtesë. - Europa League, turi i dytë Utreht - Tirana 4-0 Shënues: Van Volfsëinkel 8', 26' Asare 30', Mertens 75' FC Utrecht: Sinouh, Cornelisse, Schut (Van der Maare 77'), Vuytens, Nesu, Maguire, Lensky, Mertens, Asare, Mulenga (Loval 80'), Van Volfsëinkel Tirana: Lika, Sina, Pashaj, Osmani, Ahmataj, Lila, Karabeci, S.Lilaj, Hajdari, Plaku, Pejiç. Trajner: Sulejman Starova. /a.ke/
KOMENTE