English

Sport- Shorti I Superligës, Përballje Interesante Që Në Javën E Parë

TIRANË, 15 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Kampionati i 72-të kombëtar i futbollit ka njohur sfidat e tij për të gjitha javët në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë të sezonit 2010-2011. Shorti i hedhur sot në ambientet e hotel 'Rogner" nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, në praninë e drejtuesve të klubeve shqiptare dhe të disa figurave të shquara të futbollit shqiptar, si tekniku Hasan Lika apo futbollisti i kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, ka pëcaktuar kalendarin e plotë të dy fazave të para të Kategorisë Superiore dhe të dy fazave të Kategorisë së Parë. Java e parë e Kategorisë Superiore, e cila do të fillojë në datën 21 gusht, rezervon disa përballje interesante, ku kampionia në fuqi, Dinamo, do të presë Flamurtarin e Vlorës, ndërsa fituesja e Kupës, Besa e Kavajës, do të ketë përballë skuadrën korçare të Skënderbeut. Ndërkohë, sfida mes të rikthyerës në Superligë, Elbasanit dhe bardhebluve të Tiranës, sjell në kujtesë rivalitetin mes të dy ekipeve përpara disa viteve. Sfidë e vështirë e pret edhe Bylisin në debutimin për këtë vit në Superligë, pasi doli kampione e Kategorisë së Parë. Ballshiotët e drejtuar nga trajneri Ilir Spahiu do të luajnë në "Loro Boriçi" përballë Vllaznisë" së Shkodrës. Ndërsa ndeshjet Teuta - Laçi dhe Shkumbini - Kastrioti, plotësojnë kuadrin e javës së parë të Kategorisë Superiore për sezonin 2010-2011. Derbi i kryqytetit, Tirana-Dinamo do të zhvillohet në javën e 7-të me Tiranën pritëse, dhe në javën e 18-të me Dinamon si organizatore të takimit. Edhe këtë sezon, për shkak të të drejtave televizive, ndeshjet e Kategorisë Superiore do të luhen në tre ditë të ndryshme, të premten, të shtunën dhe të dielën. "Kjo vjen për shkak se klubet pritet të rrisin konkurrencën mes tyre, duke krijuar një imazh dhe objektiva të rinj për këtë sezon", shpjegon FSHF. Ndërkohë sot u hodh shorti edhe për Kategorinë e Parë, e cila e nis aktivitetin e saj në datën 11 shtator./s.s./
KOMENTE