English

Banka Botërore miraton Strategjinë e re të Partneritetit për Shqipërinë

Uashington, 16 Korrik, NOA – Strategjia e re e Partneritetit për Shqipërinë është diskutuar dje nga Bordi i Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore gjatë një mbledhje të posaçme.

Kjo strategji përbën platformën e asistencës për Shqipërinë për vitet 2011–2014 prej këtij institucioni të njohur financiar dhe sipas zyrtarëve të Bankës Botërore, ajo është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillimin dhe Integrimin.

Sipas të dhënave, strategjia e re e përbashkët e Bankës Botërore dhe Korporatës Ndërkombëtare Financiare parashikon financime deri në 275 milionë dollarë nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga 120 në 150 milionë dollarë nga Korporata Financiare për periudhën 4-vjeçare të lartpërmendur.

“Shqipëria është një histori zhvillimi të suksesshëm në shumë drejtime, pasi ka bërë hapa të lavdërueshëm përpara në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik gjatë dekadës së fundit”, tha Jane Armitage, drejtoreshë e Bankës Botërore për Vendin dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore.

Sipas saj, Strategjia e re e Partneritetit synon të mbështesë intensifikimin e ritmit të rritjes ekonomike të Shqipërisë përmes shtimit të konkurrencës si rezultat i një sistemi arsimor dhe shëndetësor më të mirë, si dhe përmes forcimit të rrjetit të mbrojtjes sociale.

Veç kësaj, Strategjia do ta ndihmojë Shqipërinë të përballojë sfidat e reja të ndryshimeve klimatike, duke mbrojtur dhe menaxhuar më mirë burimet e ujit dhe duke rritur shkallën e përgatitjes në rast fatkeqësish.

n.e/NOA

KOMENTE