English

Kosove - Komunat E Reja Me Shumice Serbe Po Funksionojne

PRISHTINË, 16 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Komunat e raja në Kosovë po funksionojnë me kapacitet të plotë, tha sot ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati. Ai ka folur në një ceremoni zyrtare, ku Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) nënshkruan një Marrëveshje të Mirëkuptimit për dorëzimin e pajisjeve kadastrale dhe programit sofverik për menaxhimin e të dhënave kadastrale, për komunat e reja Graçanicë, Kllokot dhe Ranillug. Këto janë tri komuna me shumicë serbe të Paketës Ahtisaari, në të cilat është bërë konstituimi i kuvendeve dhe qeverive pas zgjedhjeve lokale të Kosovës të 15 nëntorit të vitit të kaluar. Komuna e katërt me shumicë serbe është Parteshi, ku zgjedhjet lokale në raundin e parë janë mbajtur më 20 qershor të këtij viti dhe të dielën e kësaj fundjave do të votohet përsëri në balotazhin për kryetar të komunës. Procesi i formimit të pesë komnave të reja me shumicë serbe në Kosovë, të parapara me Paketën Ahtisaari, do përmbyllet me Mitrovicën e Veriut, për të cilën Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith, më 5 shkurt të këtij viti ka emëruar Ekipin Përgatitor Komunal. Për formimin e komunës së re duhet mbajtur zgjedhjet, për të cilat ende nuk ka ndonjë datë të cakuar, ndërsa është paraparë të zhvillohen në kuadër të Strategjisë Gjithpërfshirëse për Integrimin e veriut të Mitrovicës. Në Kosovë janë edhe pesë komuna të tjera me shumicë serbe - Leposaviçi, Zveçani, Zubin-Potoku e Shërpca, të cilat ekzistonin, si dhe Novobërda, e cila u bë e tillë me zgjerimin e saj sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës - Paketës Ahtisaari. /a.ke/
KOMENTE