English

Kryeministri Berisha Përuron Fillimin E Punimeve Për Rikonstruksionin E Sistemit Të Furnizimit Me Ujë, Berat-Kuçovë

TIRANË, 16 Korrik/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha inaguroi sot fillimin e punimeve për rikonstruksionin e sistemit të furnizimit me ujë Berat-Kuçovë, një investim prej rreth 800 milionë lekësh, kryesisht i qeverisë gjermane dhe bankës KFW, dhe qeverisë shqiptare. Në ceremoninë e fillimit të punimeve të këtij projekti, i cili parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të furnizimit me ujë përgjatë 24 orëve, për rreth 120 mijë banorë të Beratit e Kuçovës, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë gjermane dhe KFW-së në realizimin e tij. Me këtë rast ai vlerësoi ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria gjermane i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, ndihmë që përllogaritet në rreth 1 miliard euro, e konkretizuar në qindra projekte nga Veriu në Jug të vendit. "Një falënderim të veçantë dua t'i bëj kancelares Angela Merkel, e cila, pas takimit që zhvilluam në Berlin vendosi në vlerësim të reformave dhe suksesit të tyre në Shqipëri, të dyfishojë mbështetjen financiare dhe ekonomike për Shqipërinë dhe shqiptarët", u shpreh kryeministri. Z. Berisha vuri në dukje se qeveria, në partneritet të plotë me pushtetin vendor, do të bëjë të gjitha investimet, për të ndryshuar për mirë jetën e qytetarëve të këtij qarku. "Në këto 5 vite investimet në qarkun e Beratit janë 10-fishuar me projekte në ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësore etj. Berati ka një nga trashëgimitë kulturore më mahnitëse, të zhvilluar dhe konservuar në shekuj dhe mijëvjeçarë nga qytetarët e tij. Ndaj edhe përgjegjësitë për ju dhe për qeverinë bëhen shumë herë më të mëdha", tha z. Berisha duke iu drejtuar të pranishmëve në këtë përurim. Ai theksoi se në bashkëpunim me autoritetet vendore të vendosen normat më të mira të menaxhimit të burimeve ujore të këtij qarku. Ndërsa, duke ripohuar se Boshti i Jugut mbetet projekti më madhor i këtij mandati, kryeministri siguroi se financimet për këtë projekt janë të garantuara, sikundër premtoi se ndonëse subvencionet për fermerët e qarkut të Beratit janë rritur 18 herë, sërish ato do të rriten dhe qeveria do t'i mbështesë ata për t'u mundësuar nxjerrjen e prodhimeve të tyre jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në tregun europian. Në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrjetit të ri Berat-Kuçovë ishin të pranishëm ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, ambasadori gjerman në Shqipëri Bernd Borchardt, përfaqësuesja e bankës gjermane KFW Ute Rodrian, kryetarët e bashkisë së Beratit Fadil Nasufi dhe Kuçovës Artur Kurti. /a.s/f.n/
KOMENTE