Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Një botë që ndryshon
English

Një botë që ndryshon

Reformat në tërësi duhet të jenë “perpetum mobile” në një botë që ndryshon. Në një botë globale nuk ka alternativë tjetër vetëm të ndryshosh dhe të ngrihesh në lartësi, të ndjekësh orën globale

Nga Prof. Dr. Sali Berisha*

“Për mua është një nder i madh dhe kënaqësi shumë e veçantë, të ndaj me ju gëzimin, krenarinë, lumturinë e kësaj dite, një ditë, ndër më të mëdhatë, në jetën tuaj. Dita e diplomimit është dita e kurorës të njërës prej ëndrrave më të bukura tuajat, por edhe të prindërve tuaj.

Sot, nënat, baballarët tuaj shohin të shndërruar në realitet një ëndërr të tyre, që nis që me lindjen tuaj. Çdo prind ëndërron dhe dëshiron që vajza apo djali i tij të diplomohen, të marrin diplomën universitare.

Ai bën sakrifica të mëdha, ndan çdo gjë me ju, në mënyrë që ju të arrini këtë sukses kulmor që keni arritur sot me diplomimin tuaj. Por kjo ditë është ditë e madhe për ju sepse ju realizoni një projekt të madh të jetës suaj. Ju shndërroni në realitet njërin nga projektet më madhore, një nga ëndrrat më të bukura tuajat dhe shënoni një fillim të ri, të madh për vete, familjen, Durrësin dhe mbarë shoqërinë. Sot ju merrni diplomat, si dëshmi e një suksesi të veçantë, si dëshmi, si kurorë e një moshe , të viteve më të bukura të jetës.

Të dashur studente dhe studentë,

Kjo është një ditë e madhe për Durrësin. Ky qytet mijëra vjeçar nuk ka qenë kurrë më i bukur se sot që diplomon kaq shumë djem dhe vajza të tij në universitetin e tij të mrekullueshëm.

Ndaj dhe unë duke ju përgëzuar ju, familjet tuaja, për mbështetjen që ju kanë dhënë, dua tu shpreh një falënderim dhe premtim të madh pedagogëve, dekanëve, rektorëve të universitet të Durrësit, por edhe të mbarë universiteteve të vendit.

Rektori juaj deklaroi këtu se është diplomuar 20 vjet më parë, në universitetin e Tiranës, kurse ju në tërësi që të gjithë keni lindur 20 vjet më parë dhe sot diplomoheni në njërin nga universitetet më të mira të vendit.

Por të dashur studentë, asgjë nuk ka më të fortë, më të fuqishme, sesa imagjinata tuaj. Imagjinata dhe pasioni janë dy leva të Arkimedit, me të cilat ju do të ngjisni gjithnjë e më lart shkallët e profesionit, shkallët e suksesit.

Por, pavarësisht nga fuqia e kësaj imagjinate, ajo kurrë nuk do të mundet të arrijë të konceptojë, se cili ishte realiteti, jo në vitin që u diplomua kryeministri juaj, pra në 1967, por në vitin në të cilin u diplomua rektori juaj.

Dhe ky nuk është problemi i imagjinatës tuaj. Kjo është meritë e lirisë, kjo është meritë e transformimeve epokale, që njerëzit e lirë, shqiptarët e lirë kanë arritur të shënojnë këto 20 vite dhe ta bëjnë të paimagjinueshme të shkuarën e tyre.

Të dashur studente dhe studentë,

Progresi i universitetit tuaj është i admirueshëm. Sot këtu diplomohen 450 studentë. Universiteti numëron tre herë më shumë se vitin e kaluar. Universiteti numëron 4500 studentë. Ministri i Arsimit sapo më informoi se vitin e ardhshëm në këtë universitet nisin studimet 2000 studente dhe studentë të rinj.

Universiteti ka rreth 40 programe studimi, ka mbi 220 pedagogë, ka 8 pedagogë të ftuar nga “brain gain”, pra universiteti në tërë strukturën dhe kurrikulën e tij është një nga më bashkëkohorët. Në këtë universitet praktikohen tërësisht sistemi i Bolonjës.

Në këtë universitet për herë të parë bëhet realitet diploma e shkurtër e lidhur me praktikën, ushtrohet në mënyrë eficente partneriteti publik, privat. Pra një nga detyrat më të mëdha është ti përshtatemi tregut, i cili përbën një fuqi të pandalshme natyrore, për pasurimin, prosperitetin dhe zhvillimin e çdo vendi, e çdo shoqërie. Mendoj se universiteti juaj ka marrë të gjitha masat për të qëndruar në lartësinë e kësaj përshtatjeje.

Të dashur studentë dhe studente,

Katër vite më parë në mbarë vendin numëronin gjithsej 52 mijë studentë. Këtë vit ne numërojmë 135 mijë studentë dhe studente dhe kjo është absolutisht një nga arritjet më të mëdha, në historinë e këtij kombi dhe shumë shpejtë ne do të numërojmë 150 mijë studentë.

Por nga ana tjetër ky zhvillim i vrullshëm, i arsimit të lartë, i arsimit universitar shtron si emergjencë reformimin e tij në vazhdimësi.

Reformat në tërësi duhet të jenë “perpetum mobile” në një botë që ndryshon. Në një botë globale nuk ka alternativë tjetër vetëm të ndryshosh dhe të ngrihesh në lartësi, të ndjekësh orën globale.

Ndaj dhe ne po bëjmë çdo përpjekje të mbështesim universitetet, por mbështetja më kryesore, mbështetja e parë dhe më përcaktuese do të jetë autonomia e tyre.

Historia e qytetërimit ka faktuar se universitet kanë përmbushur misionin e tyre të zhvillimit të kombeve, vendeve, vetëm e vetëm kur ato kanë patur të garantuar pavarësinë e tyre.

Ndaj dhe jam sot para jush për t’ju garantuar juve, trupën pedagogjike, mbarë botën akademike se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për një autonomi të plotë. Askush nuk duhet t’i trembet autonomisë së universiteteve. Ajo është atribut dhe dhunti e lirisë. Nga ajo përfiton çdo student, përfiton bota akademike, shoqëria në tërësi.

Edhe njëherë ju përgëzoj në këtë ditë dhe ju uroj një jetë të mbushur plot me suksese dhe arritje të tilla si kjo që shënoni sot.

(*) Fjala e mbajtur sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës

KOMENTE