English

LRI prezanton nismën “Rinia lexon”

Tiranë, 17 korrik, NOA – Ka zgjedhur një mënyrë të veçantë Lëvizja Rinore për Integrim (LRI) për të tërhequr rreth vetes të rinjtë. Nisma e fundit e ndërrmarrë nga LRI-ja fton të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e bibliotekave. “Rinia lexon”, është motoja e nismës më të fundit të këtij forumi politik, i cili fton të rinjtë shqiptarë që t’i rikthehen dashurisë së humbur për librin.

Nisma është promovuar dje nga aktivistët e Lëvizjes Rinore për Integrim në Tiranë me regjistrimin në Bibliotekën Kombëtare. Sipas drejtuesve të LRI-së ky gjest synon të motivojë të rinjtë që të jenë më afër librit dhe institucioneve kulturore.

Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim në Tiranë, Endrit Braimllari u shpreh se me këtë nisëm synohet të tërhiqet vëmendja e të rinjëve për të qenë më të interesuar për librin.

“Jemi këtu për të regjistruar disa prej anëtarëve të Lëvizjes Rinore për Integrim në Bibliotekën Kombëtare, dhe për t’i ftuar të rinjtë shqiptarë për të qenë sa më afër me librin dhe sa më afër me ambientet e formimit shkencor dhe kulturor,” u shpreh kryetari i LRI-së së Tiranës, Endrit Braimllari.

Braimllari theksoi se kjo nismë që fillon me regjistrimin e gjimnazistëve dhe studentëve në bibliotekën kombëtare, do ta vazhdojë dhe do të shtrihet në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës.

“Kjo nismë që synon të ftojë të rinjtë që të bashkëpunojnë më shumë me bibliotekat dhe me librin do të vazhdojë dhe më tej, në të gjitha njësitë bashkiake, ku anëtarët e Lëvizjes Rinore për Integrim, por jo vetëm, do të regjistrohen në bibliotekat e lagjeve ku ata jetojnë. Kështu, ky do të jetë një shembull i mirë për t’i ftuar të rinjtë shqiptarë që të rinisin kontaktet e tyre me librin” tha ai.

NOA

KOMENTE