English

Azhbr, Do Të Mbledhë Detyrimet E Debitoreve Të Naftës Pa Akcizë

-AZHBR dhe Drejtoria e Tatimeve, marrëveshje për ndjekjen e debitorëve nga shpërndarja e naftës pa akcizë- TIRANE, 19 Korrik/ATSH-E.Xhajanka/.- Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nënshkruan sot në ambjentet e MBUMK-së, një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim ndjekjen e te gjithë debitorëve, që rezultojnë nga Fondi Kundërparti, si dhe të gjithë debitorët e tjerë nga shpërndarja e naftës pa akcizë të shpërndarë në zbatim të projektit "Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR", në vitet 2004-2005. Sipas marrëveshjes së sotme, të nënshkruar në prani të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit,Genc Ruli, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të bëjë mbledhjen e detyrimeve në favor të AZHBR-së, detyrime të cilat rezultojnë nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale dhe detyrimeve qe rrjedhin nga ligji. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në bashkëpunim me strukturat e saj të ngritura në qendër dhe në rrethe ka detyrimin e saj ligjor të kryejë evidentimin e subjekteve debitore dhe të përgatisë të gjithë dokumentacionin e subjekteve debitorë, të cilat do t'i vihen në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve . Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me anë të kësaj marrëveshje të përbashkët, ka marrë përsipër që me burimet dhe mjetet e saj të bëjë evidentimin e subjekteve, të cilët zhvillojnë aktivitet tregtar dhe të ushtrojë kontroll tekniko-financiar të vazhdueshëm mbi ta. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, do të bashkëpunojnë brenda një afati 1-mujor për evidentimin dhe hartimin e planit të masave për mbledhjen e detyrimeve. Ky bashkëpunim do të zgjasë deri në mbledhjen e të gjitha detyrimeve nga subjektet debitore. Borxhi i subjekteve tregtare të karburantit, që kanë operuar në vitet 2004-2005 për shpërndarje të karburantit pa akcizë, është 42.044.354 lekë. Për subjektet që kanë operuar gjatë vitit 2006 është 9.289.084 lekë. Borxhi i subjekteve që kanë përfituar nga subvencionet në linjat e përpunimit, serat me ngrohje deri me datë 30.06.2010, sipas kësteve që duhet të kishin paguar deri në këtë datë, pa penalitetet që shoqërojnë kontratën, është 495 058 578.94 lekë./a.s/
KOMENTE