English

Kume: Reforma Zgjedhore Duhet Të Jetë Gjithepërfshirëse

TIRANË, 19 Korrik/ATSH- A.Gegvataj /.- "Reforma zgjedhore duhet domosdoshmërisht të zhvillohet si një proces politiko-legjislativ dhe të karakterizohet nga gjithëpërfshirja", deklaroi sot drejtori i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Kristaq Kume. Duke bërë të ditur nismën "Aksioni qytetar për reformën zgjedhore", ish-kreu i KQZ-së, Kume, tha se, "mirëkuptojmë esencën politike të deklaratës së kreut të PD-së që i bën thirrje PS-së të hartoje draftin për reformën elektorale, të cilën mazhoranca është e gatshme ta pranojë, por nuk mund ta miratojë atë si rruga që duhet ndjekur për reformën zgjedhore të rradhës". Sipas tij ,"kodi i ri elektoral nuk duhet të jetë produkt i bashkëveprimit bipartizan". "Reforma zgjedhore, sipas rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtare dhe vendore, nuk duhet të jetë rezultat i zgjidhjeve të "minutës së fundit"", theksoi Kume. Ai shtoi se, "është koha që ky proces të fillojë". Kume nënvizoi se, "përvojat nga zgjedhjet e kaluara tregojnë se suksesi i këtij procesi në vendin tonë, në radhë të parë, varet nga vullneti i klasës politike". Në emër të nismëtarëve të aksionit qytetar për reformën zgjedhore, ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, ftoi organizatat e interesuara, grupe akademikësh, specialistë të legjislacionit zgjedhor, të bashkohen për të qënë aktorë në reformën zgjedhore. /a.ke/
KOMENTE