English

Organizohet tribuna "Bashkatdhetarët dhe Kosova, për njëri-tjetrin"

Prishtinë, 20 Korrik 2010 NOA - Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u mbajt tribuna e tretë e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Temë e kësaj tribune ishte: “Bashkatdhetarët dhe Kosova, për njëri-tjetrin”.

Në prani të një audience të përbërë kryesisht nga bashkatdhetar nga mërgata, tribuna u hap nga Liburn Aliu, drejtues i Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Liburni në fjalën e tij, trajtoi kontributin e bashkatdhetarëve në të shkuarën, duke i cilësuar ata si pjesë aktive e të gjitha zhvillimeve politike në Kosovë, duke përfshirë edhe vullnetarët në luftën e fundit si dhe kontributin financiar në të gjitha periudhat e përpjekjeve të popullit tonë për liri.

Poashtu, u fol edhe për kontributin e bashkatdhetarëve në ditët e sotme. Ndihmën financiare që bashkatdhetarët sjellin sot, në fakt mbulojnë dështimet e Qeverisë së Kosovës. Pothuaj të gjitha të ardhurat nga diaspora sot përdoren për të ekzistuar, pra në konsum, dhe vetëm 3% të tyre në investime.

Kosova duhet të sigurojë lehtësimet për bashkatdhetarët tanë në marrëdhënie me shtetin, duke lehtësuar procedurat për marrjen e dokumenteve, heqjen e sigurimit për vetura që aplikohet sot në pikat kufitare dhe hapjen e konsullatave.

Gjithashtu duhet ti kushtohet kujdes edhe organizimit të diasporës për interesat e saj që ta bëj atë më të suksesshme dhe më të integruar në jetën institucionale të vendeve ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. Një organizim i tillë do t’i ndihmonte diasporës sonë edhe në raport me Kosovën.

Më pas fjalën e mori Florin Krasniqi, veprimtar i çështjes kombëtare dhe biznesmen i suksesshëm në SHBA, i cili në prezantimin e tij tregoi për nivelin e organizimit të mërgatës shqiptare në ShBA, si dhe për kontributin e diasporës që e ka dhënë për vendin në momente tejet të vështira.

Florini potencoi se kontributi i disporës për vendin konsiston në dy nivele: niveli familjar dhe niveli kombëtar. Kur është fjala për nivelin familjar, ky kontribut vazhdon të ekzistoj edhe sot, ndonëse në masë pak më të vogël. Madje edhe ndihma që bashkatdhetarët tanë e kanë dhënë për kombin shpesh ka qenë përmes lidhjeve familjare.

Ndërkaq, sot kontributi i bashkatdhetarëve në nivelin kombëtar është në minimum për arsye të neglizhencës dhe mospërfilljes që Qeveria e Kosovës ka treguar në raport me diasporën. Kjo neglizhencë ka rezultuar në mungesën e një organizimi të mirëfillt në baza kombëtare, rreth të cilit do të mblidhej diaspora shqiptare për t’i mbrojtur interesat e tyre në vendet ku jetojnë, por edhe në Kosovë.

Fjalën e tij Florini e ka vazhduar duke tërhequr vëmendjen tek çështja e emigracionit, pra, diaspora e re. Kemi dy lloje të emigracionit që i hasim më së shpeshti: emigrimi i kuadrove profesionale dhe “emigrimi i dëshpërimit dhe i zhgënjimit”, siç e quajti ai emigrimin e njerëzve për shkaqe të varfërisë dhe humbjes së shpresës për mundësi e perspektivë në Kosovë.

Më pas fjala i kaloj publikut në sallë, i cili kishte mjaft kureshtje për të diskutuar për këtë çështje. Fjalën e mori Mejreme Tahirukaj e cila shprehu mllefin e saj për vendimin e Qeverisë së Kosovës e cila po i detyron bashkatdhetarët tanë të paguajnë sigurim shtesë prej 90 eurove, megjithëse këta të fundit e paguajnë një të tillë në vendet prej nga vijnë. Komenti i Florinit lidhur me këtë çështje ishte mjaft i shkurtër.

“Qeveria e Kosovës është sikur një kalë i coft, çfarë mund të pritet nga kali i coft?!”, u shpreh ai. Një pjesëmarrës tjetër u interesua për sjelljen e kuadrove të reja profesionale të shkolluara jashtë vendit në Kosovë. “Kosova është e okupuar nga grupe bandash vendore e ndërkombëtare të cilat nuk lejojnë kualitete profesionale. Kjo ndodh për arsye se këto banda nuk duan për bashkëpunëtorë njerëz të dijshëm që udhëhiqen nga parimet profesionale, por duan thjeshtë ekzekutues teknik të urdhërave të tyre”, tha Florini.

Në fund fjalën e mori Fatmir Selimi, studiues i çështjes së shqiptarëve të shpërngulur në Turqi. Ky pyeti për mundësinë që Lëvizja VETËVENDOSJE! të themeloj një ministri për diasporën. Nuk duhet ndjekur shembullin e ministrive në hije, por duhet punuar pareshtur për t’u çliruar nga këta langoj që kanë futur në kontroll çdo pore të shoqërisë.

a.b/NOA

KOMENTE